
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani, gjatë raportimit të tij në Komisionin e Ligjeve mbi veprimtarinë e institucionit për vitin 2024, ngriti shqetësimin për rrezikun e lartë që paraqesin grupet kriminale të strukturuara dhe aktivitetet e pastrimit të parave në Shqipëri dhe jashtë saj.
Sipas Dumanit, pavarësisht punës së institucioneve ligjzbatuese, trafiku i drogës mbetet një ndër kërcënimet më serioze, edhe pse është vënë re një rënie e lehtë gjatë vitit 2024.
“Grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë aktive në disa shtete evropiane, si Italia, Spanja, Belgjika, Holanda, Franca, Gjermania, Norvegjia, Zvicra dhe Britania e Madhe. Ato janë kryesisht të përfshira në trafikimin e kokainës dhe kanabisit, duke siguruar drogat nga vende latine si Kolumbia, Bolivi, Meksikë, Ekuador dhe Paraguaj,” deklaroi Dumani.
Ai shtoi se përveç trafikut të drogës, këto grupe merren edhe me trafikim të qenieve njerëzore dhe krim kibernetik, duke e zgjeruar aktivitetin e tyre përtej kufijve tradicionalë të krimit të organizuar.
Gjatë vitit 2024, SPAK ka identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë, nga të cilat 10 janë dërguar në gjykatë për veprimtaritë e tyre të paligjshme.
Sipas Dumanit, këto struktura kriminale dallohen për organizim hierarkik, përdorim të komunikimeve të kriptuara dhe përdorim të sofistikuar të skemave të pastrimit të parave, përfshirë kriptovalutat.
“Grupet janë aktive në qytete si Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe Vlorë dhe paraqesin një sfidë serioze për organet e drejtësisë për shkak të nivelit të tyre të lartë të organizimit dhe sofistikimit,” theksoi Dumani, duke nënvizuar se lufta kundër tyre kërkon koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe forcim të kapaciteteve hetimore.