
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar kreun e Kuvendit, Niko Peleshi, se ka përjashtuar opozitën nga procesi që lidhet me shqyrtimin e mandateve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
Nëpërmjet një postimi, Bardhi deklaroi se Peleshi ka vendosur që opozita të mos ketë asnjë rol institucional në një çështje të rëndësishme për rendin kushtetues të vendit, duke mos i lejuar as të japë opinion apo qëndrim.
“Sipas vendimit të Peleshit, opozita nuk ka të drejtë as të japë mendim, as të japë opinion, as të mbajë qëndrim institucional mbi çështje që lidhen drejtpërdrejtë me rendin kushtetues,” theksoi Bardhi, duke e cilësuar këtë si një “standard të ri dhe të papranueshëm”.
Ai kujtoi se paraardhësit e Peleshit në detyrën e kryetarit të Kuvendit kanë trajtuar çështje të tilla si pjesë të përgjegjësisë së përbashkët të institucionit, dhe jo si çështje partiake.
“Për Kryetarin e Kuvendit, mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë çështje e partisë-shtet, ku opozita nuk mund të ketë rol as për të thënë fjalën e saj,” shtoi Bardhi.
Duke ironizuar më tej, ai tha se Peleshi “vazhdon të firmosë idiotësira shtetërore pa e kuptuar se për çfarë hedh firmën dhe për çfarë përdor vulën e institucionit më të lartë të shtetit”.
Sipas Bardhit, argumenti i Peleshit se përfaqësimi në Gjykatën Kushtetuese bëhet vetëm në seanca publike është i pabazë, pasi edhe në rastet kur gjykata zhvillon shqyrtimin vetëm mbi dokumente, përfaqësimi institucional realizohet me mendime të shkruara.
“Askush përpara tij nuk ka guxuar të shkojë në këto nivele përjashtimi të opozitës nga proceset kushtetuese,” përfundoi Bardhi.
Reagimi i Gazment Bardhit
Në ndryshim nga paraardhësit në detyrën e Kryetarit të Kuvendit, që çështjet që janë në kompetencë të Kuvendit, në rastin konkret mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i kanë trajtuar si çështje të përbashkëta të të gjithë Kuvendit dhe që duhet të pasqyrojnë opinionin e të gjithë Kuvendit, Niko Peleshi vendos një standard të ri. Për Kryetarin e Kuvendit mandatet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë çështje e partisë–shtet, ku opozita nuk mund të ketë rol as për të thënë fjalën e saj.
Shtuar kësaj, Kryetari i Kuvendit vazhdon të firmosë “idiotësira shtetërore”, pa kuptuar se për çfarë e hedh firmën dhe aq më pak për çfarë e përdor vulën e institucionit më të lartë të shtetit – Kuvendit të Shqipërisë. Sipas tij, përfaqësimi në Gjykatën Kushtetuese bëhet vetëm në seanca publike dhe meqenëse nuk ka seancë publike, nuk mund të ketë përfaqësues.
Dikush duhet t’i sqarojë apo për shkak të pozicionit të lartë publik që ka marrë përsipër ai vetë duhet të lexojë e kuptojë, që përfaqësimi në rastet kur Gjykata Kushtetutese ka vendosur seancë mbi bazën e dokumentave, realizohet përmes dërgimit të mendimit me shkrim. Niko Peleshi vendosi që opozita s’ka të drejtë as të japë mendim, as të japë opinion, as të mbajë qëndrim institucional mbi çështje të rëndësishme të shtetit dhe që lidhen drejtpërdrejtë me rendin kushtetues. Askush përpara tij nuk ka guxuar të shkojë në këto nivele.