
Presidenti amerikan Donald Trump tha se faza e dytë e negociatave të paqes midis Hamasit dhe Izraelit ka nisur tashmë, gjatë një takimi dypalësh në Egjipt me presidentin Abdel-Fattah el-Sisi.
“Ka nisur faza e dytë,” deklaroi Trump, duke u ulur pranë presidentit egjiptian, përcjell NBC.
“Disa fytyra janë pak të përziera me njëra-tjetrën. Do të fillojë pastrimi… nëse shikoni Gazën, ka shumë për të pastruar.”
Ai shtoi se tani që të gjitha pengjet e gjalla janë liruar nga Gaza, do të vazhdojë edhe kërkimi për trupat e viktimave.
I pyetur nëse do të dëshironte që el-Sisi të kishte një vend në “Bordin e Paqes”, Trump u përgjigj: “Do të doja ta kisha në bord.”
Sipas planit të tij 20-pikësh për paqen, ky bord ndërkombëtar do të mbikëqyrë një strukturë të re qeverisëse për Gazën, ndërsa Trump do të udhëheqë bordin.
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, tha se ka një “listë të gjatë aplikantësh” për këtë bord.
Trump gjithashtu lavdëroi presidentin egjiptian, duke e quajtur “mikun tim” dhe duke deklaruar se SHBA-ja është “me të në çdo hap.”
Ai shtoi se Egjipti ka “shumë pak kriminalitet” sepse “ata nuk bëjnë lojëra.”
El-Sisi kishte udhëhequr përmbysjen ushtarake të presidentit të parë të zgjedhur në mënyrë demokratike të Egjiptit në vitin 2013.