Vendosni fjalën kyçe....

Presidenca franceze prezanton kabinetin e ri të kryeministrit Lecornu


Presidenca franceze njoftoi të dielën përbërjen e re të kabinetit të kryeministrit Sébastien Lecornu, me shumicën e posteve të larta që mbeten të pandryshuara, në një kohë kur opozita kërkon ndryshim politik për të siguruar mbështetjen e saj në bisedimet urgjente për buxhetin.

Lecornu, i cili u riemërua javën e kaluar pas një mandati të mëparshëm që zgjati vetëm 27 ditë, kishte premtuar një kabinet “ripërtëritjeje dhe diversiteti”, por ruajti në thelb të njëjtat emra në pozicionet kryesore.

Mbetet për t’u parë nëse përbërja e re do të arrijë të kënaqë kundërshtarët. Partia e majtë ekstreme France Unbowed (LFI) ka paralajmëruar një mocion mosbesimi të hënën, ndërsa Tubimi Kombëtar i ekstremit të djathtë do të ndjekë të njëjtën rrugë, çka do të thotë se qeveria e re përballet me një votim vendimtar brenda kësaj jave.

Nga ana tjetër, socialistët – mbështetja e të cilëve do të jetë thelbësore për mbijetesën e kabinetit – ende nuk janë shprehur qartë. “Pa koment”, shkroi në platformën X kreu i Partisë Socialiste, Olivier Faure, pas publikimit të listës së ministrave.

Lecornu, kabineti i mëparshëm i të cilit zgjati vetëm 14 orë, riemëroi Roland Lescure  aleat të ngushtë të presidentit Emmanuel Macron  në postin e ministrit të Financave. Qeveria pritet të paraqesë buxhetin në ditët në vijim, mes një parlamenti të ndarë dhe një klime politike të tensionuar, ndërsa shumë figura tashmë po përgatisin terrenin për garën presidenciale të vitit 2027, raportoi Reuters.

Në postet kyçe mbeten edhe Ministri i Jashtëm Jean-Noël Barrot dhe Ministri i Drejtësisë Gérald Darmanin. “Një urdhër i vetëm më udhëheq vendimet: t’i shërbej vendit tim dhe popullit francez,” shkroi Darmanin në X, duke shtuar se po largohet nga çdo aktivitet partiak pa hequr dorë nga bindjet e tij politike.

Ndryshimi më i spikatur në qeverinë e re është emërimi i Laurent Nunez, kreut të policisë së Parisit, si Ministër i Brendshëm. Ai zëvendëson Bruno Retailleau, liderin e Partisë Republikane konservatore, i cili ushqen ambicie presidenciale.

Nunez, i diplomuar në shkollën elitare École Nationale d’Administration, ka mbajtur poste të rëndësishme në aparatin e sigurisë franceze, përfshirë atë të kreut të agjencisë së inteligjencës së brendshme DGSI. Vitin e kaluar, ai ishte përgjegjës për sigurinë e Lojërave Olimpike në Paris.

Ndërkohë, ish-kryeministrja Élisabeth Borne humbi postin e saj si ministre e Arsimit, duke u zëvendësuar nga nëpunësi civil Edouard Geffray.