Vendosni fjalën kyçe....

PAMJE TË RËNDA/ Hamasi ekzekuton publikisht 8 anëtarë të milicive rivale në Gaza (Video)


Disa orë pas lirimit të pengjeve izraelite, militantët e Hamasit ekzekutuan tetë persona në Gaza të hënën në mbrëmje, duke i akuzuar ata për bashkëpunim me Izraelin ose për lidhje me luftimet e brendshme të vijueshme midis grupit, klaneve lokale dhe milicive, sipas burimeve palestineze dhe videove që qarkullojnë në mediat sociale.

Ekzekutimet u kryen publikisht para turmave brohoritëse, disa prej të cilëve filmuan ngjarjet. Midis të vrarëve ishte Ahmad Zidan al-Tarabin, i cili thuhet se ishte përgjegjës për rekrutimin e agjentëve për milicinë Abu Shabab.

Burimet palestineze thanë se vrasjet kishin në shënjestër individë të dyshuar për “tradhti” ose për ruajtjen e lidhjeve me entitete të huaja, shkruan Ynet.

Ndërsa sipas Shafaq News, që citon Ministria e Brendshme në Gaza, theksohet se grupe të caktuara kishin shfrytëzuar kaosin e luftës për të kryer akte të paligjshme, duke përfshirë plaçkitjen e ndihmës humanitare dhe sulmin ndaj pronës civile. Ministria i përshkroi individët e ekzekutuar si “agjentë dhe të jashtëligjshëm.”

Ekzekutimet erdhën menjëherë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha gjatë fluturimit të tij për në Izrael me Air Force One se i kishte dhënë Hamasit miratimin për të menaxhuar sigurinë e brendshme në Gaza “ashtu siç e sheh të arsyeshme.”

“Ata duan t’i ndalin problemet, dhe kanë qenë të hapur për këtë, dhe ne u dhamë miratim për një periudhë kohore,” tha Trump.

“Ka afro 2 milionë njerëz që kthehen në ndërtesa që janë shkatërruar, dhe shumë gjëra të këqija mund të ndodhin. Kështu që ne duam që të jetë e sigurt. Mendoj se do shkojë mirë.”

Të dielën, raportet nga Gaza thanë se 52 anëtarë të klanit të fuqishëm Dagmoush u vranë në përleshje të dhunshme me forcat e sigurisë të brendshme të Hamasit. Dymbëdhjetë militantë të Hamasit u vranë gjithashtu, duke përfshirë djalin e zyrtarit të lartë të Hamasit, Bassem Naim. Persona të armatosur të Hamasit thuhet se përdorën autoambulanca për të sulmuar lagjen ku jeton klani i armatosur rëndë, një familje që, sipas disa raporteve, ka bashkëpunuar me Izraelin.

Klani Dagmoush, një nga më të fortët në Gaza, ka pasur përleshje me Hamasin edhe më parë. Banorët paralajmëruan se përshkallëzimi aktual mund të destabilizojë ekuilibrin e brishtë të brendshëm të Gazës dhe të shkaktojë sulme hakmarrëse midis familjeve rivale.

Pasi u njoftua armëpushimi, Hamasi tha se nuk do lejonte një vakum sigurie në Gaza. Sipas planit të paqes të Trumpit, Hamasi nuk duhej të qeveriste enklavën dhe pritej të çarmatosej, diçka që grupika refuzuar ta bëjë. Hamasi thuhet se ra dakord të mos qeverisë drejtpërdrejt nëse forcat lokale palestineze marrin kontrollin, duke refuzuar çdo prani të huaj.

Zyrtarët izraelitë kanë pranuar në muajt e fundit se Izraeli ka ofruar mbështetje dhe armë të kufizuar për disa milici në Gaza. Njëra prej tyre udhëhiqet nga Yasser Abu Shabab, i cili operon në Rafah. Hamasi pretendoi në ditët e fundit se kishte vrarë një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Abu Shabab dhe po ndiqte vetë Abu Shabab-in.

Një milici tjetër, e udhëhequr nga klani al-Mujaida në Khan Younis, drejtohet nga Hossam al-Astal, i cili i tha agjencisë izraelite të lajmeve Ynet se Hamasi është dobësuar dhe “nuk mban më pushtet të rëndësishëm.”

Milicia e tij fitoi vëmendje kohët e fundit kur IDF goditi një celulë të Hamasit që u përpoq të sulmonte luftëtarët e tij në Khan Younis. Sipas raporteve palestineze, më shumë se 22 terroristë të Hamasit u vranë. Al-Astal tha se sulmi ekspozonte dobësinë në rritje të Hamasit.

Al-Astal themeloi milicinë e tij në lagjen Kizan al-Najjar të Khan Younis, duke e prezantuar veten si një “shpëtimtar” nga sundimi i Hamasit dhe duke ftuar banorët të zhvendoseshin në zonë, e cila u evakuua nga forcat izraelite dhe u vendos nën kontrollin e tij. Ai tha se lagja është nën autoritetin e tij të drejtpërdrejtë dhe se ai bashkërendohet me milicinë e Abu Shabab, e cila kontrollon pjesë të Rafahut lindor dhe Khan Younis-it lindor, megjithëse operon në mënyrë të pavarur.