
Çmimin Nobel për Ekonomi për vitin 2025 e kanë fituar ekonomistët Joel Mokyr (SHBA-Izrael), Philippe Aghion (Francë) dhe Peter Howitt (Kanada) për kontributin e tyre në studimin e ndikimit të teknologjisë mbi rritjen e qëndrueshme ekonomike, përcjell REL.
Sipas Akademisë Mbretërore Suedeze të Shkencave, Mokyr, 79 vjeç, u vlerësua me gjysmën e çmimit për “identifikimin e parakushteve për rritje të qëndrueshme përmes përparimit teknologjik”. Gjysma tjetër iu nda Aghion-it, 69 vjeç, dhe Howitt-it, 79 vjeç, për “teorinë e rritjes së qëndrueshme përmes shkatërrimit krijues”.
“Gjatë pothuajse gjithë historisë së njerëzimit, standardet e jetesës nuk ndryshonin shumë nga një brez te tjetri. Rritja ekonomike ishte, mesatarisht, zero dhe stagnimi ishte normë. Por gjatë dy shekujve të fundit gjërat kanë ndryshuar shumë,” tha John Hassler, kryetar i komitetit që ndan çmimin.
Sipas Kerstin Enflo, anëtare e Komitetit për Çmimin Nobel në Ekonomi, “puna e laureatëve na kujton se nuk duhet ta marrim përparimin si të mirëqenë, por të kujdesemi për faktorët që e gjenerojnë dhe e mbajnë rritjen ekonomike”.
Mokyr, profesor në Universitetin Northwestern në SHBA, është dalluar për përdorimin e burimeve historike për të shpjeguar pse dhe si inovacionet shndërrohen në një proces vetë-gjenerues që mban zhvillimin afatgjatë. Nga ana tjetër, Aghion dhe Howitt krijuan modelin matematikor të “shkatërrimit krijues” – procesi përmes të cilit teknologjitë e reja dhe produktet më të mira zëvendësojnë ato të vjetrat, duke nxitur rritje dhe transformim ekonomik.
“S’mund të gjej fjalë që të përshkruaj se si ndihem,” tha Aghion pas publikimit të lajmit.
Çmimi për Ekonomi, i krijuar në vitin 1968 nga Banka Qendrore Suedeze, është i vetmi që nuk përfshihej në testamentin e Alfred Nobelit, por ndahet sipas të njëjtit proces si çmimet për Kimi dhe Fizikë.
Kjo ndarje shënon mbylljen e ciklit të Çmimeve Nobel për këtë vit, ku u nderuan edhe shkencëtarë për punën mbi sistemin imunitar të njeriut, mekanikën kuantike dhe arkitekturën molekulare. Nobeli për Letërsi iu dha shkrimtarit hungarez László Krasznahorkai, ndërsa Çmimin për Paqe e mori udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado.
Fituesit e Çmimit Nobel për Ekonomi do të marrin një diplomë, një medalje prej ari dhe një shpërblim financiar prej 1.2 milion dollarësh.