
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka ngritur shqetësimin se pavarësia institucionale e Bankës është vënë në rrezik gjatë dy viteve të fundit.
Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, ku prezantoi raportin vjetor të detajuar të BSH-së, Sejko deklaroi se institucioni që ai drejton është përballur me presione që kanë pamundësuar ushtrimin e lirë të detyrave të tij.
“Pavarësia e Bankës së Shqipërisë shpesh herë ka elementë që ndikojnë. Bankës së Shqipërisë i kërkohet llogari për çështje që janë jashtë tagrit të saj – ky është cenim i pavarësisë. Këto dy vitet e fundit e kam ndjerë rëndë këtë gjë, por s’dua të hyj në detaje. Për shkak të këtij presioni, Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e lirë për të ushtruar detyrat e saj, por s’dua të zgjatem,” deklaroi Sejko.
Megjithëse guvernatori nuk dha shembuj konkretë të ndërhyrjeve, deklaratat e tij përbëjnë një sinjal të fortë për tensionet mes institucionit monetar dhe faktorëve të tjerë institucionalë apo politikë.