
Një ngjarje tragjike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës në një bar të mbushur me njerëz në shtetin jugor amerikan të Karolinës së Jugut, ku një të shtënë masive la të paktën katër persona të vdekur dhe mbi 20 të plagosur, sipas zyrtarëve lokalë, përcjell BBC.
Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Beaufort, qindra persona ishin mbledhur në “Willie’s Bar and Grill”, një bar popullor në ishullin St. Helena, kur shpërtheu të shtënat. Viktima dhe dëshmitarë të shumtë u larguan me shpejtësi drejt bizneseve përreth për të kërkuar strehim.
Katër persona u shpallën të vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa të paktën 20 të tjerë u plagosën – katër prej tyre ndodhen në gjendje kritike në spitalet lokale.
Autoritetet thanë se hetimet janë ende në fazë fillestare dhe aktualisht po punohet për të identifikuar të dyshuarit e mundshëm. Nuk dihet ende nëse sulmi ishte i rastësishëm apo i synuar.
“Kur oficerët dhe ekipet e ndihmës së shpejtë mbërritën në vendngjarje, gjetën disa persona me plagë nga armët e zjarrit,” tha zyra e sherifit në një deklaratë zyrtare. Një zëdhënës refuzoi të japë detaje të tjera, duke u shprehur se hetimi është në zhvillim.
“Willie’s Bar and Grill”, vendi ku ndodhi tragjedia, ofron kuzhinë të frymëzuar nga kultura Gullah dhe në faqen e tyre të internetit thuhet se synojnë të shpërndajnë “shpirtin ngushëllues të kulturës Gullah Geechee”. Populli Gullah Geechee janë pasardhës të afrikanëve të skllavëruar në plantacionet e bregdetit juglindor të SHBA-së, përfshirë edhe Karolinën e Jugut.
Lidhur me ngjarjen, përfaqësuesja republikane e Karolinës së Jugut, Nancy Mace, shkroi në platformën X: “Jemi thellësisht të tronditur nga të shtënat shkatërruese në Qarkun Beaufort. Lutjet tona shkojnë për viktimat, familjet e tyre dhe të gjithë ata që u prekën nga ky akt i tmerrshëm dhune.”
“Willie’s” nuk ka dhënë ende një koment për mediat lidhur me ngjarjen.