Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli mund të ndalojë rindërtimin e Gazës nëse Hamasi nuk dorëzon të gjitha pengjet



Në prag të pritjes për të marrë trupat e pengjeve të vrarë dhe fillimit të procesit të identifikimit, Izraeli paralajmëron se disa prej mbetjeve trupore ende janë të varrosura në tokën e Gazës. Autoritetet izraelite dyshojnë se grupi militant Hamas po fsheh qëllimisht trupat për t’i përdorur si mjet presioni në negociata. Në rast të mosbashkëpunimit të Hamasit në procesin e rikthimit, Izraeli do të vendosë sanksione të ashpra, duke përfshirë ndalimin e rindërtimit në Gaza, bllokimin e importit të karvanëve, mbylljen e furrave të bukës dhe ndalimin e hyrjes së pajisjeve civile, përcjell YNetNews.

Një forcë ndërkombëtare e krijuar për këtë qëllim, në të cilën do të përfshihen SHBA, Egjipti, Turqia, Katari dhe Izraeli, do të marrë pjesë në kërkimet për trupat e pengjeve. Izraeli do t’u sigurojë pikë të sakta referimi ku besohet se janë varrosur kufomat dhe aty do të kryhen gërmime të targetuara. Në zonat e tjera të Gazës janë vendosur “urdhra mbylljeje” për të ndaluar çdo ndërtim apo rindërtim deri në përfundimin e gërmimeve, për shkak të dyshimeve se në to janë varrosur pengjet e vrarë.

Në një intervistë për Fox News, Zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance tha se beson se të gjithë do të gjenden, por paralajmëroi se “disa prej pengjeve mund të mos kthehen kurrë”. Ai theksoi rëndësinë e dhënies së mundësisë familjeve për një mbyllje të denjë, duke organizuar varrime me nder për viktimat.

Në Izrael, familjet e pengjeve kanë marrë informacion nga oficerët e inteligjencës mbi situatën e të dashurve të tyre. Sipas marrëveshjes me Hamas, kjo organizatë terroriste duhet të dorëzojë edhe 28 pengjet e vrarë, por pritet që vetëm gjysma të kthehen fillimisht, pasi disa nuk janë gjetur ende. Pas rikthimit të mbetjeve të para, forca ndërkombëtare do të nisë menjëherë kërkimin për të tjerat.

Koordinatori për Pengjet dhe Personat e Zhdukur, Gal Hirsch, njoftoi se nga momenti që trupat e të gjallëve mbërrijnë në kampin Re’im, Kryqi i Kuq do të përgatisë automjetet për rikthimin e kufomave. Trupat e pajetë do të mbulohen me flamurin izraelit dhe do t’i nënshtrohen një ceremonie ushtarake nderi para se të transportohen për identifikim në Institutin Forenzik “Abu Kabir”. Më pas, familjet do të informohen për identifikimin e të dashurve të tyre, dhe do të organizohen funerale sipas dëshirave të tyre.