Vendosni fjalën kyçe....

Afganistani e Pakistani përplasen ashpër në kufi, dhjetëra të vrarë


Zëdhënësi i qeverisë talebane pretendoi se forcat afgane vranë të paktën 58 ushtarë pakistanezë dhe plagosën 30 të tjerë në sulmet hakmarrëse gjatë natës, duke pushtuar 25 pozicione kufitare.

Sulmet hakmarrëse erdhën në luftimet ndërkufitare gjatë natës midis ushtrive të dy vendeve pas një sulmi ajror të Pakistanit në Kabul në fillim të kësaj jave.

Zabihullah Mujahid, zëdhënës i qeverisë talebane të Afganistanit, tha se një “sasi e konsiderueshme” armësh pakistaneze ra gjithashtu në duart e forcave afgane, postoi agjencia e lajmeve TOLO e Afganistanit në X të dielën.

Mujahid tha se nëntë ushtarë talebanë u vranë gjithashtu në operacione dhe gati një duzinë të tjerë u plagosën.

Pakistani ende nuk ka komentuar mbi pretendimin e qeverisë talebane.

Luftimet gjatë natës shënojnë një përshkallëzim të mprehtë të tensioneve midis fqinjëve të Azisë Jugore, duke nxitur thirrje për përmbajtje nga Irani, Katari dhe Arabia Saudite.

Mujahid tha se operacioni i mbrëmshëm nga forcat afgane u ndal me kërkesë të Katarit dhe Arabisë Saudite.

Më herët të dielën, Talibanët thanë se kishin kapur tri pika kufitare pakistaneze gjatë sulmeve të tyre hakmarrëse në disa pika përgjatë kufirit në provincat Kunar dhe Helmand.

Enayatullah Khëarizmi, zëdhënësi i Ministrisë Afgane të Mbrojtjes, tha të shtunën vonë se forcat talibane kishin kryer sulme “të suksesshme hakmarrëse” kundër ushtarëve pakistanezë në përgjigje të “shkeljeve të përsëritura” të vendit fqinj dhe sulmeve ajrore në territorin afgan. Në një postim në X, Khëarizmi tha se sulmi përfundoi në mesnatë, shkruan Al Jazeera.

Media shtetërore pakistaneze të dielën tha se forcat e saj sekuestruan 19 pika kufitare afgane, duke cituar burime të sigurisë që thanë se luftëtarët talibanë afganë në postat ose u vranë ose u larguan. Një video e transmetuar nga Pakistan Television (PTV) tregonte pikat afgane në flakë dhe ushtarë talibanë gjoja duke u dorëzuar.

Ministri i Brendshëm pakistanez, Mohsin Naqvi, i quajti sulmet afgane “të paprovokuara” dhe akuzoi forcat afgane për hapje zjarri ndaj popullatës civile.

“Hapja e zjarrit nga forcat afgane mbi popullatën civile është një shkelje flagrante e ligjeve ndërkombëtare. Forcat e guximshme të Pakistanit kanë dhënë një përgjigje të shpejtë dhe efektive se asnjë provokim nuk do tolerohet,” tha ai në një postim në X.

Radio Pakistan tha se sulmet afgane nxitën një “përgjigje të fortë” nga ushtria pakistaneze, dhe PTV shpërndau pamje video të zjarrit të armëve dhe artilerisë që ndriçonte qiellin e natës.

Luftimet erdhën disa ditë pasi shpërthime tronditën kryeqytetin afgan, Kabul, në një sulm ajror për të cilin Talibanët fajësuan Pakistanin.

Islamabadi nuk mori përgjegjësinë për sulmet e së enjtes. Megjithatë, ai akuzoi Talibanët afganë se strehojnë luftëtarë të Talibanëve Pakistanezë të cilët sulmojnë Pakistanin, me mbështetjen e kundërshtarit të tij, Indisë.

Nju Delhi e mohon akuzën, ndërsa Talibanët thonë se nuk lejojnë që territori i tyre të përdoret kundër vendeve të tjera.

Katari shprehu “shqetësim të thellë për tensionet që mund të prishin  sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”.

Ministria e Jashtme e Katarit gjithashtu u kërkoi “të dy palëve të vendosin dialogun dhe diplomacinë si prioritet, të përmbahen dhe të punojnë për të përmbajtur mosmarrëveshjet në një mënyrë që ndihmon në uljen e tensionit, shmang eskalimin dhe kontribuon në paqen dhe stabilitetin rajonal”.

Edhe Arabia Saudite shprehu shqetësim.