
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar ashpër pas shembjes së një biznesi në zonën e Kombinatit, pronari i të cilit, sipas saj, kishte dokumentacion të plotë ligjor, përfshirë lejen dhe hipotekën.
Nga vendngjarja, Tabaku e cilësoi rastin si një tjetër shembull të abuzimit të pushtetit, ku shteti vepron “si agjenci imobiliare”, duke rrënuar prona të ligjshme për interesa klienteliste.
“Bashkë me Oneldën jemi në Kombinat, përballë rrënojave të një biznesi që shteti iu sul dhe e shkatërroi brenda ditës, megjithëse ishte në tokën dhe në biznesin e tij të ligjshëm, që paguante taksa ndaj këtij shteti,” deklaroi Tabaku në një video të publikuar në rrjetet sociale.
Deputetja theksoi se kjo ngjarje është një “shëmbëlltyrë” e mënyrës se si, sipas saj, qeverisja socialiste ka uzurpuar prona dhe biznese gjatë 12 viteve të fundit, duke shkelur të drejtat themelore të qytetarëve.
“Kur shteti të merr pronën pa njoftim, kur të shkatërron aktivitetin brenda ditës, pa asnjë vendim të formës së prerë, kjo s’është qeverisje — është abuzim me pushtetin,” u shpreh ajo.
Tabaku paralajmëroi se pas rasteve të 5 Majit, Thethit, Vlorës dhe tashmë Kombinatit, askush nuk mund të ndihet i mbrojtur përballë “arbitraritetit të shtetit”.
“Sot ndodhi në Kombinat, nesër mund të ndodhë te dera e shtëpisë suaj,” tha deputetja demokrate, duke u zotuar se do të vazhdojë të mbështesë qytetarët e prekur “deri në fund, për të mos lejuar që padrejtësia të bëhet normë.”