
Shqipëria ka korrur një fitore historike ndaj Serbisë, duke triumfuar me rezultatin 1-0 në një përballje të zjarrtë të vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026.
Rei Manaj ishte heroi i mbrëmjes për kuqezinjtë, duke shënuar golin vendimtar në fundin e pjesës së parë – një finalizim i saktë që vendosi fatet e takimit në stadiumin “Dubočica” në Leskovac.
Pas kësaj fitoreje, renditja në Grupin K flet qartë në favor të Shqipërisë. Ekipi i drejtuar nga Sylvinho ka grumbulluar 4 pikë më shumë se Serbia, edhe pse me një ndeshje më tepër të zhvilluar.
Me këtë sukses, Shqipëria jo vetëm që i afrohet edhe më shumë ëndrrës për kualifikimin në Botërorin “SHBA-Kanada-Meksikë 2026”, por gjithashtu arrin të mposhtë për herë të parë Serbinë në një ndeshje zyrtare, duke shkruar historinë në futbollin shqiptar.
Kuqezinjtë kanë tashmë një rrugëtim të qartë përpara. Dy ndeshjet e fundit të grupit, ndaj Andorrës dhe Anglisë, do të jenë përcaktuese për fatin e kualifikimit.
Fitorja ndaj Serbisë ka rritur moralin dhe besimin në grupin kuqezi, ndërsa entuziazmi në kampin shqiptar është më i larti i mundshëm.