
Administrata e Donald Trump ka nisur shkarkimin e më shumë se 4,000 punonjësve federalë, sipas një dokumenti të paraqitur në gjykatë të premten, ndërsa mbyllja e qeverisë amerikane vazhdon për shkak të dështimit të Kongresit për të arritur një marrëveshje financimi.
Sipas dokumentit të Departamentit të Drejtësisë, njoftimet për “reduktime në staf” janë dërguar në shtatë departamente federale, me më të prekurat Departamentin e Thesarit dhe Departamentin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), të cilat përbëjnë mbi gjysmën e totalit të pushimeve nga puna.
Ndër agjencitë e tjera të prekura janë ato të Sigurisë Kombëtare, Arsimit, Energjisë, Banesave dhe Zhvillimit Urban, si dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA).
“Shkarkimet kanë filluar,” shkroi drejtori i buxhetit të Shtëpisë së Bardhë, Russ Vought, në platformën X të premten, duke iu referuar “reduktimeve në fuqi punëtore”.
Një zëdhënës i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit (OMB) e konfirmoi këtë për NBC News, duke shtuar se shkarkimet do të jenë “të konsiderueshme”.
Një zyrtar i lartë i administratës tha për NBC News se “këto shkarkime përfaqësojnë një moment të caktuar në kohë” dhe se situata mund të ndryshojë, duke sugjeruar se procesi mbetet në zhvillim.
Sipas të dhënave, të premten janë dërguar njoftime për rreth 315 punonjës në Departamentin e Tregtisë, 466 në Departamentin e Arsimit, 187 në Energji, 1,100–1,200 në Shëndetësi, 176 në Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe 1,446 në Thesar.
Përveç këtyre, rreth 20–30 punonjës të EPA-s kanë marrë njoftime të përgjithshme se mund të preken nga shkarkimet në të ardhmen.
Sindikatat më të mëdha të punonjësve federalë, përfshirë Federatën Amerikane të Punonjësve të Qeverisë (AFGE) dhe AFL-CIO, kanë ngritur padi kundër administratës, duke e cilësuar veprimin “të paligjshëm” dhe paralajmëruar veprime të reja gjyqësore.
“Sindikata e Amerikës do t’ju shohë në gjykatë,” postoi AFL-CIO në X.
Presidenti i AFSCME, Lee Saunders, tha se “këto pushime masive janë të paligjshme dhe do të dëmtojnë familjet amerikane,” duke premtuar se sindikatat “do të ndjekin çdo rrugë ligjore për t’i ndalur.”
Kritikat kanë ardhur edhe nga brenda Partisë Republikane. Senatorja republikane Susan Collins, kryetare e Komisionit të Aprovimeve, deklaroi se “nuk duhet të ketë shkarkime të punonjësve të pezulluar për shkak të kësaj mbylljeje të panevojshme të qeverisë,” duke e quajtur vendimin e Vought “të gabuar”.
Edhe senatorja Lisa Murkowski nga Alaska e kritikoi masën, duke e cilësuar si “një veprim ndëshkues ndaj punonjësve publikë”.
Nga ana tjetër, udhëheqësi i pakicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, akuzoi administratën se “po zgjedh me qëllim të dëmtojë njerëzit që mbrojnë vendin dhe shërbejnë publikut,” duke shtuar se “askush nuk po e detyron Trump dhe Vought ta bëjnë këtë — është një kaos i qëllimshëm.”
Ndërkohë, Senatorja demokrate Patty Murray deklaroi se “kjo administratë ka vepruar gjatë gjithë vitit me shkarkime dhe riemërime të pamatura,” duke e quajtur lëvizjen “një tjetër përpjekje për të trembur punonjësit publikë.”
Vendimi i administratës Trump erdhi një ditë pasi Senati dështoi për herë të shtatë të miratonte një projektligj të përkohshëm për financimin e qeverisë, ndërsa mbyllja, që nisi më 1 tetor, po vazhdon pa një zgjidhje të afërt.