
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në çelje të seancës plenare, kërkoi ndjesë për keqkuptimin e krijuar pas publikimit të një materiali informativ ku përmendej Enver Hoxha.
Ai theksoi se qëllimi nuk ishte të vlerësohej apo të mbrohej ndonjë figurë historike, por vetëm të jepeshin të dhëna faktike nga fjalori enciklopedik.
“Kam vlerësuar më shumë seriozitet dhe kërkesat për qëndrim. Në emër të kuvendit dua të shpreh keqardhjen dhe ndjesën për keqkuptimin dhe perceptimin e krijuar pavarësisht qëllimit të thjeshtë informativ të materialit pa pasur synimin të mbroj apo vlerësoj ndonjë figurë të veçantë, aq më tepër Enver Hoxhës që është përmendur vetëm për shkak të datës së lindjes.
Teksti është nxjerrë pa interpretim nga fjalori enciklopedik. Prezantimi i këtij materiali ka krijuar perceptimin e gabuar dhe nxitur shqetësim veçanërisht te familjet e viktimave.
I kam kërkuar institutit parlamentar një rishikim të plotë të procedurave të brendshme të bibliotekës së kuvendit për tu siguruar që materialet e ardhshme të shoqërohen me kontekst të qartë historik”, tha Niko Peleshi.