
Shkrimtari hungarez László Krasznahorkai është shpallur fitues i Çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2025, njoftoi sot Akademia Suedeze në një ceremoni në Stokholm.
Akademia vlerësoi autorin 71-vjeçar për “veprën e tij magjepsëse dhe vizionare, e cila, mes një terrori apokaliptik, rikonfirmon fuqinë e artit”.
Krasznahorkai, i njohur për romanet e tij distopike dhe melankolike, ka fituar më parë disa çmime të rëndësishme, përfshirë Man Booker International në vitin 2015 dhe National Book Award për letërsinë e përkthyer në vitin 2019.
Veprat e tij më të njohura, Satantango dhe The Melancholy of Resistance, janë përshtatur në filma artistikë nga regjisori Béla Tarr, me të cilin ai ka bashkëpunuar për shumë vite.
I lindur në Gyula të Hungarisë në vitin 1954, Krasznahorkai u bë i njohur që me romanin e tij të parë, Satantango (1985), një portret i errët dhe hipnotik i një komuniteti rural në shpërbërje.
Libri, i ndërtuar në 12 kapituj që secili përbëhet nga vetëm një paragraf i gjatë, u vlerësua për stilin e tij të jashtëzakonshëm dhe strukturën e pazakontë.
Shpesh i përshkruar si postmodern, Krasznahorkai njihet për fjalitë e tij të gjata, sintaksën rrjedhshme dhe temat e absurditetit, groteskut dhe melankolisë. Kryetari i Komitetit të Nobelit, Anders Olsson, e përshkroi atë si “një shkrimtar epik të traditës qendrore evropiane që shtrihet nga Kafka te Thomas Bernhard”, ndërsa prozën e tij e quajti “një rrjedhë fjalësh të pandërprerë që kanë bërë stilin e tij të veçantë”.
Susan Sontag e ka quajtur Krasznahorkain “mjeshtrin bashkëkohor hungarez të apokalipsit”, ndërsa WG Sebald ka vlerësuar universalitetin e vizionit të tij. Kritikët thonë se librat e tij “qarkullojnë si monedhë e rrallë” për shkak të mënyrës unike të shkrimit dhe ndikimit të thellë filozofik.
Pas largimit nga Hungaria komuniste në vitin 1987, Krasznahorkai ka udhëtuar gjerësisht në Evropë dhe Azi, duke marrë frymëzim nga Mongolia dhe Kina për disa nga veprat e tij, si The Prisoner of Urga dhe Destruction and Sorrow Beneath the Heavens.
Ai ka jetuar për një periudhë në apartamentin e poetit legjendar Allen Ginsberg në Nju Jork, i cili e ndihmoi në përfundimin e romanit War and War.
Në një intervistë për The Guardian në vitin 2015, autori e përshkroi procesin e tij krijues me këto fjalë: “Shkronja, pastaj fjalë; nga fjalët, fjali të shkurtra; pastaj më të gjata, gjithnjë më të gjata, për 35 vjet. Bukuri në gjuhë. Argëtim në ferr.”
Krasznahorkai do të marrë medaljen dhe diplomën e Çmimit Nobel në një ceremoni zyrtare që do të zhvillohet në dhjetor në Stokholm.
Fituesit e fundit të këtij çmimi kanë qenë Han Kang (2024), Annie Ernaux, Abdulrazak Gurnah, Louise Glück, Peter Handke dhe Olga Tokarczuk.