Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Kolumbisë akuzon SHBA-në: Anija e goditur ishte kolumbiane me qytetarë kolumbianë në bord


Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, deklaroi se një anije e bombarduar së fundmi nga ushtria amerikane ishte “kolumbiane dhe me qytetarë kolumbianë brenda saj”, një pretendim që Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar si “pa bazë”.

Sipas mediave ndërkombëtare, SHBA ka kryer të paktën katër sulme ndaj anijeve në Karaibe gjatë javëve të fundit, duke shkaktuar vdekjen e 21 personave, përcjell BBC.

Uashingtoni ka pretenduar se sulmet, të kryera në ujëra ndërkombëtare, kishin në shënjestër trafikantë të drogës, por nuk ka ofruar ende prova apo detaje mbi identitetin e viktimave.

Në një reagim në rrjetin X drejtuar senatorit amerikan Adam Schiff, presidenti Petro paralajmëroi se “është hapur një skenar i ri lufte: Karaibet”.

 Ai shtoi se “të dhënat tregojnë se anija e fundit e bombarduar ishte kolumbiane me qytetarë kolumbianë brenda saj. Shpresoj që familjet e tyre të dalin dhe ta raportojnë këtë. Nuk ka luftë kundër kontrabandës; ka një luftë për naftë dhe ajo duhet ndalur nga e gjithë bota. Agresioni është kundër gjithë Amerikës Latine dhe Karaibeve”.

Shtëpia e Bardhë reagoi menjëherë ndaj deklaratës, duke thënë se “pret që presidenti Petro të tërheqë publikisht deklaratën e tij të pabazë dhe të dënueshme”.

Në njoftim, Uashingtoni theksoi se pavarësisht “ndryshimeve në politika”, SHBA mbetet e përkushtuar ndaj “bashkëpunimit të ngushtë me Kolumbinë në fushat e sigurisë dhe stabilitetit rajonal”.

Sipas administratës amerikane, sulmet që nisën më 2 shtator kishin në shënjestër anije pranë brigjeve të Venezuelës që, sipas saj, transportonin droga ilegale.

 Presidenti Donald Trump e konfirmoi personalisht sulmin e fundit më 3 tetor, përmes një videoje të postuar në platformën e tij Truth Social.

Ndërkohë, në Senatin amerikan u rrëzua një masë që do ta ndalonte Trump-in të përdorte forcën ushtarake kundër anijeve në Karaibe. Projektligji, i propozuar nga senatorët demokratë Adam Schiff dhe Tim Kaine, u hodh poshtë me 48 vota pro dhe 51 kundër, duke ndarë qartë linjat partiake.

Një memo e rrjedhur më herët këtë muaj tregonte se administrata amerikane tashmë e konsideron veten si të përfshirë në një “konflikt të armatosur jondërkombëtar”, një formulim ligjor që i jep Shtëpisë së Bardhë justifikim për të përdorur fuqi lufte, përfshirë edhe vrasjen e “luftëtarëve armiq” edhe nëse ata nuk paraqesin kërcënim të menjëhershëm.

Presidenti Trump ka klasifikuar tashmë shumë kartele, përfshirë ato në Meksikë, Ekuador dhe Venezuelë, si organizatë terroriste, duke i dhënë autoriteteve amerikane më shumë kompetenca për t’u përgjigjur me veprime ushtarake.