Vendosni fjalën kyçe....

Patel mbron hetimin ndaj ish-kreut të FBI-së Comey dhe goditjen e ANTIFA-s: Ekstremizmi s’do tolerohet më


Drejtori i FBI-së, Kash Patel, dha një intervistë ekskluzive për Armstrong ëilliams, ku foli për operacionet e fundit të FBI-së, aktakuzën e ngritur ndaj një ish-drejtori të FBI-së dhe mënyrën se si administrata po përballet me rritjen e ekstremizmit politik.

Aktakuza ndaj James Comey

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey, u akuzua javën e kaluar se gënjeu Kongresit gjatë dëshmisë së tij lidhur me hetimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet amerikane, një çështje që ka marrë përmasa të thella politike dhe përçarëse.

Demokratët e kanë kritikuar ashpër administratën, duke e akuzuar për përdorim politik të sistemit të drejtësisë kundër kundërshtarëve të Trump-it.

Kjo vjen pas një historie të gjatë tensioni mes Comey-t dhe presidentit, për shkak të rolit të FBI-së në hetimin mbi ndërhyrjen ruse.

Patel mbrojti mënyrën se si Departamenti i Drejtësisë po trajton çështjen ndaj James Comey, duke argumentuar se administrata ka qenë sa më transparente që nga marrja e detyrës dhe se aktakuza është udhëhequr nga faktet.

Patel tha:

“Po publikojmë dokumente në mënyrë të vazhdueshme si kurrë më parë, që populli amerikan të mund t’i shohë, t’i prekë dhe t’i ndiejë vetë, jo thjesht t’i tregojnë çfarë ka ndodhur. Nuk do nis kurrë një hetim nga kjo pozitë pa bazë të duhur ligjore dhe faktike.”

Zyrtarë të tjerë të administratës, përfshirë Prokurorene Përgjithshme Pam Bondi, zv.presidentin JD Vance, dhe të tjerë, kanë sinjalizuar se mund të ketë më shumë aktakuza në vitet në vijim, ndërsa hetimet vazhdojnë. Ata kanë hedhur poshtë kritikat se po përdorin sistemin e drejtësisë për qëllime politike.

Patel shtoi:

“Është kulmi i hipokrizisë që dikush të na akuzojë për këtë, kur janë pikërisht ata që krijuan atë sistem maniak për të ushqyer egot e tyre. Thjesht janë të zemëruar që ne e zbuluam. Prokurorja e Përgjithshme është një partnere e shkëlqyer, dhe ka të drejtë, sapo kemi nisur.”

Hetimi për 6 Janarin

Kash Patel iu përgjigj një raporti sipas të cilit afro 300 agjentë të FBI-së me veshje civile ndodheshin në Kapitol ditën e trazirave më 6 janar, një fakt që Presidenti Trump e ka përdorur së fundmi si provë se ish-drejtori i FBI-së, Christopher ëray, kishte gënjyer për praninë dhe rolin e agjentëve atë ditë.

Patel konfirmoi se agjentët ishin në Kapitol, por për të shërbyer si kontroll turme, gjë që ai e cilësoi si keqpërdorim të burimeve të FBI-së.

Patel tha:

“Ky është një shembull i shkëlqyer i nismës së presidentit për të zbuluar të gjitha të vërtetat mbi 6 Janarin, dhe një tjetër shembull i përpjekjeve tona për transparencë sipas udhëzimeve të presidentit. Gjetëm dokumente, dëshmitarë dhe sinjalizues që thanë se u detyruam të shkonim atje për të bërë kontroll turme. E dini çfarë FBI-ja nuk bën kurrë? Ne nuk merremi me këtë.”

Patel komentoi edhe mbi raportet që ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ishte përgjegjëse për refuzimin e kërkesave për ndihmë nga Garda Kombëtare disa ditë para trazirave. Pyetja se kush mban përgjegjësi për vonesën në dislokimin e trupave ka qenë objekt i debatit të ashpër politik ndër vite.

Patel tha:

“Po të kishte thënë po për Gardën Kombëtare dhe të kishim 10,000 ushtarë me uniformë që të krijonin një perimetër sigurie, a mendoni se 6 Janari do kishte shkuar ndryshe? Presidenti Trump e pa gjendjen dhe veproi në mënyrë aktive, ndërsa Nancy Pelosi dhe qeveria lokale na bllokuan dhe tani kjo është krejtësisht e qartë.”

Ekstremizmi i dhunshëm

FBI-ja po përpiqet të përballojë një rritje të fundit të dhunës politike dhe shqetësimet për ekstremizmin në rritje që përhapet online, i cili po shndërrohet në kërcënime dhe sulme reale. Vrasja e Charlie Kirk ka intensifikuar ndjeshëm këto shqetësime, me administratën që ka premtuar një goditje të fortë ndaj ekstremizmit të majtë, të cilin e cilëson si të pakontrolluar.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha se agjencia po punon për të shkatërruar rrjetet që synojnë fëmijët online dhe përpiqen t’i radikalizojnë.

“Ky është një grup i shpërndarë në mbarë botën që vepron online dhe synon të rinjtë tanë. Ajo që bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë është t’i nxisin dhe t’i bindin të rinjtë të radikalizohen. I shtyjnë të vetëdëmtohen, dhe në disa raste, i çojnë deri në vetëvrasje,” tha Patel.

Ai tha se po kërkon bashkëpunim nga autoritetet lokale dhe shtetërore në të gjithë vendin për të adresuar këtë problem, ndërsa vendi po përballet me një rritje prej 300% të ekstremizmit të dhunshëm real.

“Njohja dhe trajnimi që duhet të përhapim në pjesën tjetër të vendit janë një prioritet i madh për ne,” tha Patel. “Rrjetet sociale, këto platforma lojërash, janë jashtë çdo kontrolli. Askush nuk i kontrollon ato. Askush nuk e di çfarë po ndodh.”

Goditja ndaj Antifa-s

Presidenti Donald Trump nënshkroi javën e kaluar një urdhër ekzekutiv që e cilëson Antifa-n si organizatë terroriste vendase, duke argumentuar se grupi është pjesë e një rrjeti të ndërlikuar që krijon kaos dhe nxit dhunë politike. Autoritetet federale më parë e kishin përshkruar Antifa-n si një ideologji, pa strukturë të organizuar apo udhëheqje të qartë.

Ky urdhër i jep qeverisë dhe autoriteteve federale më shumë kompetenca për të hetuar operacionet e kryera nga Antifa, si dhe ngjarjet ku një anëtar i grupit ka ofruar mbështetje materiale.

Drejtori i FBI-së, Kash Patel, tha se çështja ka të bëjë me gjurmimin e financimeve dhe zhvillimin e një hetimi të thelluar mbi atë që po ndodh.

“Këto grupe nuk shfaqen thjesht brenda natës. Nuk ndodh që qindra njerëz të rrethojnë një gjykatë papritur, pastaj të zhvendosen në Los Anxhelos për të shkaktuar trazira, e më pas të shkojnë në Çikago dhe qytete të tjera për të krijuar përçarje. Kjo është një përpjekje e organizuar që dikush ose disa grupe po e financojnë,” tha Patel.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Foxbaltimore

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani