Çmimet e arit ranë të enjten, por mbetën mbi nivelin prej 4,000 dollarësh për ons, ndërsa pritshmëritë për ulje të normave të interesit në SHBA dhe pasiguritë globale të vazhdueshme shtynë kërkesën për këtë aset të sigurt.
Argjendi, i nxitur nga vrulli në tregun e arit, kërkesa e fortë investuese dhe mungesa e vazhdueshme në furnizim, theu për herë të parë kufirin prej 50 dollarësh për ons.
Ari në tregun e menjëhershëm ra me 0.5%, duke u këmbyer me 4,018.40 dollarë për ons, shkjruan Reuters.
“Spekulatorët po tërheqin disa nga fitimet në ar pasi marrëveshja për armëpushim në Gaza hyn në fuqi, duke ulur tensionet në një rajon historikisht të paqëndrueshëm,” tha Tai Wong, tregtar i pavarur metalesh.
Izraeli dhe Hamasi nënshkruan të enjten një marrëveshje për armëpushim, faza e parë e nismës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Ari i rafinuar kaloi për herë të parë nivelin prej 4,000 dollarësh për ons të mërkurën, duke arritur një rekord të ri prej 4,059.05 dollarësh. Ky aset që nuk sjell të ardhura, por që tradicionalisht konsiderohet si mbrojtje në kohë pasigurie gjeopolitike dhe ekonomike, është rritur me mbi 54% këtë vit.
Argjendi u rrit me 2.7%, duke arritur në 50.19 dollarë për ons, pasi theu nivelin prej 50 dollarësh më herët gjatë sesionit. Ai është rritur me mbi 69% këtë vit, i nxitur nga të njëjtat forca makroekonomike që kanë shtyrë rritjen e arit dhe nga kushtet e ngushta të furnizimit në tregun e menjëhershëm.
