Vendosni fjalën kyçe....

Zhvilluan formë të re të arkitekturës molekulare, shpallen tre fituesit e Nobelit në Kimi


Shkencëtarët Susumu Kitagawa, Richard Robson dhe Omar Yaghi fituan Nobelin në Kimi për vitin 2025 për zhvillimin e një forme të re të arkitekturës molekulare, duke krijuar materiale që mund të ndihmojnë në përballimin e sfidave si ndryshimet klimatike dhe mungesa e ujit të pijshëm.

Të tre laureatët punuan për të krijuar ndërtesa molekulare, të njohura si struktura metal-organike (MOFs), me hapësira të mëdha përmes të cilave mund të rrjedhin gazra dhe kimikate të tjera, dhe që mund të përdoren për të nxjerrë ujë nga ajri i shkretëtirës, për të kapur dioksidin e karbonit ose për të ruajtur gazra toksikë.

Duke përshkruar “vetitë e padëgjuara” të këtyre materialeve, komiteti i çmimit tha se disa prej tyre kishin një sipërfaqe jashtëzakonisht të madhe – një material poroz afërsisht sa një kub sheqeri mund të përmbajë aq sipërfaqe sa një fushë futbolli.

“Një sasi e vogël e një materiali të tillë mund të jetë pothuajse si “çanta e Hermionës te Harry Potter”. Ajo mund të ruajë sasi të mëdha gazi në një vëllim shumë të vogël,” tha Olof Ramstrom, anëtar i Akademisë.

Përdorimet mund të përfshijnë përballjen me ‘kimikatet e përhershme’

Kitagawa tha në konferencën për shtyp të Nobelit se ishte thellësisht i nderuar nga çmimi.

“Ëndrra ime është të kap ajrin dhe ta ndaj atë në pjesë, për shembull, në dioksid karboni, oksigjen, ujë apo diçka tjetër dhe më pas ta shndërroj në materiale të dobishme duke përdorur energji të rinovueshme,” tha ai.

Një fushë premtuese është kapja e karbonit në prodhimin e çimentos, një nga proceset industriale më ndotëse që përbën 7% të emetimeve globale të dioksidit të karbonit. MOF-et tashmë po përdoren në disa fabrika çimentoje për ta kapur karbonin përpara se të lëshohet në atmosferë.

Pas zbulimeve, kimistët kanë ndërtuar dhjetëra mijëra MOF-e të ndryshme, disa prej të cilave “mund të kontribuojnë në zgjidhjen e disa prej sfidave më të mëdha të njerëzimit”, tha Akademia, duke shtuar se përdorime të tjera përfshijnë ndarjen e lëndëve toksike, ose “kimikateve të përhershme”, nga uji dhe shpërbërjen e gjurmëve të barnave në mjedis.

Kitagawa është profesor në Universitetin e Kiotos në Japoni, ndërsa Robson është profesor në Universitetin e Melburnit, Australi, dhe Yaghi është profesor në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, në Shtetet e Bashkuara, shkruan Reuters.

Kitagawa është japonez, Robson ka lindur në Britani por u zhvendos në Australi në fund të të 20-ave, ndërsa Yaghi është jordanezo-amerikan.

Yaghi ka lindur nga prindër refugjatë palestinezë në Jordani, ku familja e tij jetonte në një dhomë të vetme bashkë me bagëtitë që rritnin.

“Është një udhëtim i jashtëzakonshëm dhe shkenca ta mundëson,” tha ai në një intervistë të publikuar në faqen e Nobelit, duke shtuar se prindërit e tij mezi dinin të lexonin apo shkruanin.

Yaghi, i cili tha se ishte i habitur dhe i lumtur që fitoi çmimin, ishte 10 vjeç kur gjeti një libër për molekulat në bibliotekë dhe kjo shënoi fillimin e një dashurie të përjetshme për kiminë.

“Sa më thellë të gërmosh, aq më bukur zbulon se si janë ndërtuar gjërat,” tha ai për faqen e Nobelit.

Robson tha se mori telefonatën nga Stokholmi gjysmë ore para njoftimit zyrtar dhe se e festoi qetësisht në shtëpinë e tij jashtë Melburnit.