
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi sot në lidhje me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, duke e cilësuar ngjarjen si pasojë të drejtpërdrejtë të vendimeve të qeverisë së Edi Ramës për heqjen e përgjegjësisë së Policisë së Shtetit mbi sigurinë në gjykata.
Berisha tha se “ligji që garantonte sigurinë e gjykatave u ndryshua në vitin 2020” dhe se me këtë vendim, “Rama ia kaloi sigurinë policisë private, që është policia e xhepit dhe patronazhiste”.
“Mblidhemi sot pasi narkoshteti shqiptar vrau gjykatësin në zyrën e tij. Kur them narkoshteti, e kam të qartë që dorasi nuk ishte punonjës i shtetit, por ai nuk mund ta kryente kurrë aktin nëse shteti do të ishte shtet e jo narkoshtet,” deklaroi Berisha, duke e cilësuar vrasjen si një tregues tronditës të degradimit të institucioneve shtetërore.
Ai shtoi se “salla e gjyqit pretendohet të jetë vendi më i sigurt, por në Shqipërinë e Edi Ramës, ajo është kthyer në një arenë krimi ku një gjyqtar mund të qëllohet sikur të ishte në mes të rrugës apo në një kafene.”
Duke iu referuar vendimit të qeverisë, Berisha tha:
“Dua të informoj shqiptarët se me një vendim të datës 8 korrik 2020, Edi Rama ka anuluar vendimin e mëparshëm të vitit 2010, i cili ngarkonte Policinë e Shtetit me detyrën për mbrojtjen dhe sigurinë e gjykatave. Rama e kaloi sigurinë nga policia e shtetit tek policia e xhepit,” u shpreh Berisha.
Në vijim, ai sulmoi ministren e Brendshme Albana Koçiu, duke thënë se ajo “lau duart nga përgjegjësia dhe justifikoi krimin duke thënë se policia nuk kishte gisht në këtë masakër.”
Berisha theksoi se “ky është rezultati i një shteti që nuk funksionon dhe që e ka lënë drejtësinë të pambrojtur përballë krimit dhe pasojave të tij tragjike.”