
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër ndaj situatës aktuale në vend, duke deklaruar se për të rinjtë Shqipëria është bërë e pajetueshme, ndërsa për kriminelët është kthyer në vendin më të përshtatshëm për të vepruar lirisht.
Në një deklaratë për mediat, Balliu akuzoi qeverinë se nën drejtimin e Edi Ramës janë shtuar laboratorët e drogës, ndërkohë që po mbyllen shkolla dhe po pakësohen regjistrimet e studentëve në institucionet arsimore.
“Në këtë vit të ri akademik, e vetmja gjë që po shikojmë është mbyllje shkollash dhe më pak regjistrime nga të rinjtë. Të rinjtë po largohen. E vetmja gjë që po shtohet në pushtetin e Ramës janë laboratorët e drogës dhe kriminelët,” tha Balliu.
Sipas tij, Shqipëria është bërë një vend ku të rinjtë nuk shohin më perspektivë për të ndërtuar jetën e tyre, ndërsa kriminelët gëzojnë mbrojtje dhe favore nga shteti.
“Për të rinjtë, Shqipëria është bërë një vend ku nuk mund të jetohet. Ndërkohë që për kriminelët këtu është bërë vendi i preferuar. Sepse këtu pastrojnë paratë, këtu kanë mbështetjen e qeverisë,” u shpreh Balliu, duke theksuar se kriza e arsimit dhe rritja e kriminalitetit janë pasojë direkte e keqqeverisjes dhe mungesës së vizionit për të ardhmen e vendit.