
Çmimi i arit ka kaluar për herë të parë kufirin prej 4,000 dollarësh për ons, duke arritur një rekord të ri të mërkurën. Rritja e ndjeshme është nxitur nga kërkesa e lartë e investitorëve për siguri përballë pasigurive ekonomike dhe gjeopolitike, si dhe nga pritjet për ulje të mëtejshme të normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA-së.
Në tregun ndërkombëtar, çmimi i arit u rrit me 0.9%, duke arritur në 4,017.16 dollarë për ons deri në orën 04:42 GMT, ndërsa kontratat e ardhshme për dorëzim në dhjetor u ngjitën në 4,040 dollarë për ons, shkruan Reuters.
Ari, që tradicionalisht shihet si një strehe e sigurt në kohë krize, ka qenë një nga asetet me performancën më të mirë të vitit 2025, me një rritje prej 53% që nga fillimi i vitit, pas një rritjeje prej 27% në vitin 2024.
“Tani ka aq shumë besim në këtë treg saqë investitorët do të synojnë shifrën e radhës – 5,000 dollarë për ons – veçanërisht me Rezervën Federale që pritet të vazhdojë uljen e normave të interesit,” tha tregtari i pavarur i metaleve, Tai Wong.
Sipas tij, mund të ketë pengesa të përkohshme si armëpushimet e mundshme në Lindjen e Mesme apo Ukrainë, por faktorët kryesorë si borxhi në rritje, dobësimi i dollarit dhe blerjet e bankave qendrore pritet të vazhdojnë ta mbështesin rritjen e çmimit të arit.
Rritja e metalit të çmuar po ndikohet gjithashtu nga pritjet për politika monetare lehtësuese, pasiguria politike globale, hyrjet e mëdha në fondet e arit të tregtuara në bursë (ETF) dhe një dollar amerikan më i dobët.