Vendosni fjalën kyçe....

Miliarderi egjiptian Naguib Sawiris në listën e Tony Blair për bordin që do drejtojë Gazën e pasluftës


Naguib Sawiris e Tony Blair

Një projekt-propozim i zbuluar në mediat ndërkombëtare ka zbuluar planet se si mund të qeveriset Gaza pas luftës. Dokumenti, i shpërndarë nga The Guardian, përshkruan krijimin e një organi të ri të quajtur Autoriteti Ndërkombëtar Tranzitor i Gazës (GITA), i cili do të drejtonte Gazën përkohësisht, ndoshta deri në pesë vjet, derisa të rikthehet vetëqeverisja palestineze.

Ky draft-plan hedh dritë mbi një qeverisje të propozuar të Gazës, e zbuluar pak ditë më parë në konferencën për shtyp të Trump-it mbi marrëveshjen e paqes në Gaza.

Sipas planit, GITA do përbëhej nga shtatë deri në dhjetë persona të zgjedhur me miratimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Do përfshihej vetëm një përfaqësues palestinez, ka të ngjarë dikush nga sektorët e biznesit ose të sigurisë. Pjesa tjetër do ishin figura ndërkombëtare dhe rajonale.

Ish-kryeministri britanik Tony Blair përmendet si kreu i mundshëm i autoritetit, ndërsa biznesmeni egjiptian Naguib Sawiris është renditur ndër anëtarët e mundshëm, së bashku me figura të tjera politike dhe financiare. Megjithatë, ende nuk ka pasur asnjë konfirmim nga Sawiris.

Autoriteti do kishte kompetenca të gjera, si hartimi i ligjeve, mbikëqyrja e shërbimeve dhe menaxhimi i diplomacisë me vende si Izraeli, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara. Në fillim, ai do ishte i vendosur në El-Arish në Egjipt përpara se të transferohej në Gaza kur kushtet ta lejojnë, shkruan Egyptianstreets.

Gjithashtu do të krijohej një organ i veçantë ekonomik për të tërhequr investime për rindërtimin e Gazës, megjithëse kritikët shqetësohen se kjo mund t’u sjellë më shumë përfitime investitorëve sesa banorëve vendas.

Propozimi lidhet me një plan më të gjerë të paraqitur nga ish-Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili është një “plan paqeje” me 20 pika që përfshin krijimin e një “Bordi të Paqes” të cilin ai do ta kryesonte personalisht.

Ky bord do të mbikëqyrte autoritetin e ri qeverisës të Gazës. Plani i Trump-it gjithashtu thotë se Hamasi nuk do kishte asnjë rol në qeverisjen e Gazës. Ai bën thirrje për një komitet palestinez që të merret me shërbimet lokale dhe thekson se, pasi të bihet dakord, armiqësitë do ndalen, forcat izraelite do tërhiqeshin dhe të gjithë pengjet do ktheheshin brenda 72 orësh.