Vendosni fjalën kyçe....

Johnson & Johnson ndëshkohet me 966 milion dollarë në rastin e kancerit nga talku


Një juri në Los Angeles urdhëroi kompaninë Johnson & Johnson të paguajë 966 milionë dollarë familjes së një gruaje që vdiq nga mezotelioma, duke e shpallur kompaninë përgjegjëse në gjyqin më të fundit që pretendon se produktet e saj me talk shkaktojnë kancer.

Familja e Mae Moore, një banore e Kalifornisë që vdiq në moshën 88-vjeçare në vitin 2021, paditi kompaninë po atë vit, duke pretenduar se pudra për bebe me pwrmbajtje talku e J&J përmbante fibra asbesti që shkaktuan kancerin e saj të rrallë. Juria urdhëroi J&J të paguajë 16 milionë dollarë në dëmshpërblim dhe 950 milionë dollarë në dënim ndëshkues, sipas dokumenteve gjyqësore.

Vendimi mund të ulet në apel, pasi Gjykata e Lartë e SHBA ka vendosur që dënimet ndëshkuese zakonisht nuk duhet të jenë më shumë se nëntë herë më të larta se dëmshpërblimi.

Erik Haas, zëvendëspresident global i J&J për çështjet gjyqësore, tha se kompania planifikon të apelojë menjëherë, duke e quajtur vendimin “të tepruar dhe antikushtetues.” Ai shtoi se avokatët e paditësve u mbështetën në “shkencë të pavlefshme” që nuk duhej të paraqitej para jurisë.

Kompania ka deklaruar se produktet e saj janë të sigurta, nuk përmbajnë asbest dhe nuk shkaktojnë kancer. J&J ndaloi shitjen e pudrës me talk në SHBA në vitin 2020, duke kaluar në një produkt me niseshte misri. Mezotelioma është e lidhur me ekspozimin ndaj asbestit.

Trey Branham, një nga avokatët që përfaqëson familjen Moore, tha pas vendimit se ekipi i tij “shpreson që Johnson & Johnson më në fund do e pranojë përgjegjësinë për këto vdekje pa kuptim.”

J&J përballet me më shumë se 67,000 padi nga persona që pretendojnë se janë diagnostikuar me kancer pas përdorimit të pudrës për bebe dhe produkteve të tjera me talk. Numri i padive që pretendojnë se talku shkaktoi mezoteliomën është një pjesë e vogël e këtyre rasteve, ndërsa shumica lidhen me kancerin ovarian, shkruan Reuters.

Kompania ka tentuar të zgjidhë çështjet përmes falimentimit, por propozimi është hedhur poshtw tre herë nga gjykatat federale. Paditë për mezoteliomë nuk ishin pjesë e propozimit të fundit për falimentim. Disa prej tyre janë zgjidhur, por nuk ka një marrëveshje kombëtare, ndaj shumë raste kanë kaluar në gjykatat shtetërore.

Në vitin e fundit, J&J është përballur me disa vendime të mëdha në rastet e mezoteliomës, por vendimi i së hënës është ndër më të mëdhenjtë. Kompania ka fituar disa gjyqe, përfshirë një javë më parë në Karolinën e Jugut, ku juria e shpalli J&J të papërgjegjshme.

J&J ka arritur të reduktojë disa nga vendimet përmes apelimit, përfshirë një rast në Oregon ku një gjykatës shtetëror pranoi kërkesën e kompanisë për të hedhur poshtë një vendim prej 260 milionë dollarësh dhe për të zhvilluar një gjyq të ri.