Vendosni fjalën kyçe....

Berisha pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja: Rama po shfrytëzon gjakun e një gjyqtari për të kaluar kodin e “narko-diktaturës”


Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar me tone të ashpra lidhur me vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për gjendjen në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë në vend.

Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se ngjarja e rëndë në sallën e gjyqit është pasojë e mungesës së përgjegjësisë së institucioneve dhe e ka cilësuar të papranueshme që, sipas tij, asnjë ministër nuk mban përgjegjësi për këtë tragjedi.

“Po të kishte përgjegjësi, dhe minimumi i saj, ngjarja nuk mund të ndodhte kurrë në sallën e Gjykatës së Apelit. Por se nuk ka asnjë përgjegjës dhe nuk mban askush përgjegjësi. Rama duro thotë fajin e ka kodi penal. Ai kod që dënon dënimet nga më të mëdha. Ministrat apo pseudo ministra thonë në kor; fajin e ka arma pa leje. Më njerëz të shpifur se këta nuk ka. Këta turpërojnë, fshat, qytet e fis, këdo. Këta janë se si e si të vrapojnë!”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin Rama se po përpiqet të përdorë këtë ngjarje tragjike për të kaluar ndryshimet në Kodin Penal, të cilin Berisha e quajti “kodin e narko-diktaturës”.

“Ky është përpjekje e Ramës për të kaluar kodin Rakipi. Duan të kalojnë kodin e narko-diktaturës. Shfrytëzon gjakun e një gjyqtari për të kaluar kodin e narko-diktatorës. Kush e pengon detektorin? Kush pengon rojet, që të ketë roje salla e gjyqit? I pengon korrupsioni. Falimentimin e sistemit të drejtësisë po e justifikon Edi Rama,” tha Berisha.