Dy amerikanë, Mary E. Brunkow e Fred Ramsdell dhe një japonez Shimon Sakaguchi, janë treshja e shkencëtarëe që fituan Nobelin 2025 në Mjekësi.
Sipas Akademisë Suedeze, treshja e shkencëtarëve zbuluan se si mbahet nën kontroll sistemi imunitar.
Sistemi i fuqishëm imunitar i trupit duhet të rregullohet, ose mund të sulmojë organet tona. Mary E. Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi bënë zbulimin novator në lidhje me tolerancën imunitare periferike që parandalon sistemin imunitar të dëmtojë trupin.
Çdo ditë, sistemi ynë imunitar na mbron nga mijëra mikrobe të ndryshme që përpiqen të pushtojnë trupin tonë. Këto të gjitha kanë pamje të ndryshme dhe shumë kanë zhvilluar ngjashmëri me qelizat njerëzore si një formë kamuflazhi. Pra, si e përcakton sistemi imunitar se çfarë duhet të sulmojë dhe çfarë duhet të mbrojë?
Mary Brunkow, Fred Ramsdell dhe Shimon Sakaguchi identifikuan rojet e sigurisë të sistemit imunitar, qelizat T rregullatore, të cilat parandalojnë qelizat imunitare të sulmojnë trupin tonë.
“Zbulimet e tyre kanë qenë vendimtare për të kuptuarit tonë se si funksionon sistemi imunitar dhe pse nuk zhvillojmë të gjithë sëmundje serioze autoimune,” thotë Olle Kämpe, kryetar i Komitetit Nobel.
Shimon Sakaguchi po notonte kundër rrymës në vitin 1995, kur bëri zbulimin e parë kyç. Në atë kohë, shumë studiues ishin të bindur se toleranca imunitare zhvillohej vetëm për shkak se qelizat imunitare potencialisht të dëmshme eliminoheshin në timus, përmes një procesi të quajtur toleranca qendrore. Sakaguchi tregoi se sistemi imunitar është më kompleks dhe zbuloi një klasë qelizash imunitare të panjohura më parë, të cilat mbrojnë trupin nga sëmundjet autoimune.
Mary Brunkow dhe Fred Ramsdell bënë zbulimin tjetër kyç në vitin 2001, kur paraqitën shpjegimin pse një shtam i caktuar minjsh ishte veçanërisht i prekshëm ndaj sëmundjeve autoimune. Ata kishin zbuluar se minjtë kishin një mutacion në një gjen që ata e emërtuan Foxp3. Ata gjithashtu treguan se mutacionet në ekuivalentin njerëzor të këtij gjeni shkaktojnë një sëmundje serioze autoimune, IPEX.
Dy vjet pas kësaj, Shimon Sakaguchi ishte në gjendje të lidhte këto zbulime. Ai provoi se gjeni Foxp3 qeveris zhvillimin e qelizave që ai identifikoi në vitin 1995. Këto qeliza, të njohura tani si qelizat T rregullatore, monitorojnë qelizat e tjera imunitare dhe sigurojnë që sistemi ynë imunitar të tolerojë indet tona.
Zbulimet e fituesve nisën fushën e tolerancës periferike, duke nxitur zhvillimin e trajtimeve mjekësore për kancerin dhe sëmundjet autoimune. Kjo gjithashtu mund të çojë në transplantime më të suksesshme. Disa nga këto trajtime janë aktualisht në prova klinike.

