
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, gjatë një seance gjyqësore.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Rama shpreh ngushëllimet për familjarët e gjyqtarit të ndjerë dhe thekson se agresioni kriminal kërkon një përgjigje ligjore ekstreme ndaj autorit.
“Ngushëllime vëllazërore familjes së gjykatësit të ndjerë Astrit Kalaja dhe u prehtë në paqe. Agresioni kriminal mbi gjykatësin kërkon padyshim përgjigjen më ekstreme ligjore ndaj agresorit,” shkruan Rama.
Ai shton se kjo tragjedi duhet të nxisë një reflektim mbi sistemin e sigurisë së brendshme të gjykatave, i cili sipas tij, përveç pajisjeve teknologjike të nevojshme, nuk mund të mbetet një çështje zgjedhjeje mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit.
Rama thekson gjithashtu rëndësinë e ashpërsimit të Kodit Penal për armëmbajtjen pa leje dhe kufizimin maksimal të mundësive për abuzime me afatet që cenojnë mbrojtjen nga armët e paligjshme.
“Kjo ngjarje tragjike është një argument i pakundërshtueshëm për të mbështetur ashpërsimin domethënës në Kodin Penal të dënimit për armëmbajtjen pa leje dhe ngushtuar maksimalisht hapësirën për lojra me afatet në dëm të mbrojtjes prej zjarrit të armëve të paligjshme. Lutem gjithashtu që ky moment kaq tronditës të nxisë reflektim mbi lehtësinë me të cilën trajtohet armëmbajtja pa leje në proceset gjyqësore,” shkruan Rama.