
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka reaguar me indinjatë të thellë ndaj vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje gjatë shpalljes së një vendimi gjyqësor nga pala humbëse.
Në deklaratën zyrtare, GJKKO e cilëson ngjarjen një tronditje të rëndë për sistemin e drejtësisë dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja.
“Ngjarja e sotme është një alarm për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin magjistratët në Republikën e Shqipërisë. Gjyqtarët janë shtylla të sistemit të drejtësisë dhe garantues të shtetit të së drejtës, ndaj siguria e tyre është një domosdoshmëri për funksionimin normal të sistemit demokratik,” thuhet në reagimin e GJKKO-së.
Gjykata e Posaçme thekson se ky akt i rëndë përbën një kërcënim serioz ndaj pavarësisë së gjyqësorit, integritetit të funksionit të magjistratit dhe besimit të qytetarëve tek shteti i së drejtës.
“Askush që mban mbi supe përgjegjësinë për të garantuar zbatimin e ligjit nuk duhet të ndjehet i pambrojtur,” përfundon deklarata.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje të thellë në opinionin publik dhe ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e përfaqësuesve të drejtësisë në Shqipëri.