Vendosni fjalën kyçe....

Siria mban zgjedhjet e para parlamentare pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit



Siria do të zhvillojë të dielën zgjedhjet e para parlamentare që nga rënia e regjimit të Bashar al-Assadit, një hap ky i rëndësishëm në procesin tranzicional pas 13 vjetësh lufte civile, përcjell REL.

Në këtë proces zgjedhor nuk do të ketë votim të drejtpërdrejtë për Asamblenë e Popullit, organi legjislativ që do të mbajë përgjegjësinë për legjislacionin gjatë periudhës tranzitore. Përfaqësuesit do të zgjidhen nga të ashtuquajturat “kolegje zgjedhore” për dy të tretat e 210 ulëseve në parlament.

Pjesa tjetër e ulëseve do të emërohet nga presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharaa, i cili mori postin 10 muaj më parë, pas rrëzimit të ish-presidentit Assad nga forcat e Sharaas.

Zgjedhjet janë shtyrë në disa zona për arsye sigurie, përfshirë dy provinca të kontrolluara nga kurdët dhe një provincë ku vazhdojnë përplasjet e ashpra mes forcave qeveritare dhe militantëve druzë.

Në një fjalim të mbajtur javën e kaluar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara – i pari prej një presidenti sirian në 60 vjetët e fundit – Sharaa premtoi drejtësi për viktimat e konflikteve të përgjakshme dhe për ata që kryen mizori nën regjimin e Assadit.

Ai nënvizoi se Siria po ndërton një shtet të ri me institucione dhe ligje që garantojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa përjashtim.

Zgjedhjet do të mbikëqyren nga një komitet i lartë prej 11 anëtarësh, i emëruar nga presidenti në qershor.

Numri i ulëseve që do të ndahen në 60 distrikte bazohet në regjistrimin e vitit 2010 – një vit para nisjes së luftës civile që ka shkaktuar mbi 600,000 viktima dhe ka zhvendosur 12 milionë njerëz.