Vendosni fjalën kyçe....

Si i dekonspiroi plani i Trump “dashnorët” hipokritë të Hamasit


*Click to read this article in English

Nga Endri Tafani

U bë një javë që Presidenti Trump shpalli planin e paqes me 20 pika dhe tashmë armët kanë pushuar në Gaza.

Gjatë gjithë kësaj jave asnjë  mbështetje në Perëndim nga mediat dhe “protestuesit”, nga figurat e famshme, aktorë, artistë, publicistë, që dilnin çdo javë me mesazhe, influencuesit e Instagramit, TikTokut. Heshtje totale.

Ndërkohë që gjithë bota arabe dhe myslimane ku spikatin Arabia Saudite, Turqia, Egjipti, Katari, Indonezia etj mbështetën planin e paqes të Trump që në fillim, në Perëndim ka vetëm heshtje.

Është e qartë që gjithë ajo turmë e mësipërme e Perëndimit që hesht për një plan paqeje, nuk do paqe.

Për këtë turmë perëndimore nuk është e rëndësishme jeta e fëmijëve palestineze dhe e ardhmja e tyre. Ata duan luftë aty, nuk duan zgjidhje.

Në atë turme mund të dallosh tre grupime.

Grupimi i parë janë ekstremi i majtë. Për ata çështja palestineze shikohet në dialektikë marksiste si një luftë midis të shtypurve dhe shtypësit, si një luftë antikolonialiste kundër imperializmit perëndimor me SHBA-të në krye. Qëllimi final i neomarksistëve europianë është dobësimi moral dhe politik i rendit në Perëndim nëpërmjet protestave të vazhdueshme, për çështje që variojne nga axhenda LGBTQ+, emigracioni masiv, diversiteti e deri tek çështja e Palestinës.

Për këta neomarksistë, qëllimi final është shkatërrimi i Perëndimit siç e njohim dhe transformimi i tij në një shoqëri të re pa asnjë kohezion morali, utopi komuniste, ku lufta e klasave shtohet me luftën ndaj njeriut të bardhë heteroseksual, i cili duhet zhdukur ashtu si dhe kapitalistët, sepse njeriu i bardhë është origjina e çdo problemi që ka bota. Nuk është shaka. Lexoni Critical Race Theory që është kthyer në bazën e studimeve të shkencave shoqërore nga neomarksistët në Perëndim që në fund të viteve 1990.

Për këta neomarksistë LGBTQ + një zgjidhje e çështjes palestineze nga Trump nënkupton një ruajtje të stabilitetit Perëndimor që ata duan ta zhdukin. Për këtë arsye ata duan vetëm luftë aty, derisa të shkatërrojnë qeveritë perëndimore nën peshën e protestave shpesh të dhunshme. Për këta neomarksistë LGBTQ+  nuk ka rëndësi jeta e fëmijëve palestinezë, sa më shumë aq më mirë për ta, sepse mund të ketë protesta akoma më masive. Për ta fëmijët palestineze janë të sakrifikueshëm në altarin e neomarksiszmit.

Grupimi i dytë janë personat që protestojnë sepse është trendy të protestosh. Përgjithësisht janë injorantë në informacion, ama e vënë re se po te protestosh dhe të dalësh në media duke qarë për fëmijët palestineze merr pëlqime dhe zemra në FB, IG, TikTok.

Për këta njerëz përqafimi i kësaj kauze trendy iu jep edhe një kënaqësi të brendshme duke menduar që janë të mirë se kanë përqafuar një kauzë të mirë. Në momentin që kauza zhduket, këta personazhe nuk marrin më pëlqim dhe zemra në platforma, prandaj lufta bën mirë të vazhdojë, që ta vazhdojnë ta mjelin si kauzë. Për ta nuk ka rëndësi jeta e fëmijëve palestinezë. Për ta fëmijët palestineze janë të sakrifikueshëm në altarin e narcizizmit.

Grupi i tretë janë antisemitët. Për ta Izraeli dhe izraelitët duhet zhdukur. Prandaj duhen luftuar vazhdimisht. Për ta nuk ka rëndësi që Izraeli si një fuqi bërthamore nuk mund të zhduket si shtet pa u zhdukur gjithë Lindja e Mesme. Ai Izrael dhe izraelitët duhen luftuar vazhdimisht, prandaj lufta duhet të vazhdojë. Për këtë arsye ata nuk pyesin për jetën e fëmijëve palestinezë. Për ta fëmijët palestineze janë të sakrifikueshëm në altarin e antisemitizmit.

Po të kihet parasysh kjo gjë kuptohet pse askush nga këta grupe më sipër  nuk mbështet planin e Trump dhe as përgëzon arritjen e paqes. Për ta është akoma më e dhimbshme që është pikërisht Trump që e urrejnë si individ që arrin të bëjë paqe.

Është ironi thërese që ky plan i Trump nuk është gjë tjetër veçse një plan i Arabisë Saudite që është propozuar disa herë në 2024-ën e që u hodh poshtë nga Hamasi vazhdimisht derisa Hamasi u vu para asgjësimit të plotë nga Izraeli në copën e fundit të Gazës ku kishte ngelur.

Me mbështetjen që i kanë dhënë Hamasit në Perëndim këto grupe të mësipërme vetëm kanë ndihmuar në vazhdimin e konfliktit  me pasoja edhe mbi fëmijët palestinezë.

Mbi ata fëmijë palestinezë që pretendonin se iu qante zemra, por në fakt ishin të sakrifikueshëm në altarin përkatës të secilit grupim.

Hipokritë, injorantë dhe kriminelë.