Vendosni fjalën kyçe....

PD denoncon Bashkinë Kamëz për shkelje të së drejtës së pronës



Partia Demokratike ka akuzuar Bashkinë Kamëz për shkelje të së drejtës së pronës, duke denoncuar një rast të ngritur nga qytetari Xhemal Agolli, i cili pretendon se prona e tij private është shpallur në mënyrë të padrejtë si pronë publike.

Në një deklaratë publike nga selia blu, zëdhënësja Genta Vangjeli tha se Agolli është një pronar i ligjshëm, i pajisur me certifikatë pronësie dhe dokumentacion të plotë kadastral, por është përballur me një veprim arbitrar të bashkisë, e cila ka vendosur një tabelë në truallin e tij, duke e cilësuar atë si pronë të bashkisë.

Sipas Vangjelit, qytetari iu drejtua Partisë Demokratike pas dështimeve për të marrë drejtësi nga institucionet shtetërore. Në qendër të mosmarrëveshjes qëndron një parcelë prej 10,000 m² në zonën kadastrale 2066, për të cilën Bashkia Kamëz pretendon pronësinë mbi bazën e një vendimi të Këshillit të Ministrave (VKM nr. 775, datë 05.09.2013), ku është përfshirë në listën e pronave të transferuara në emër të bashkisë.

Në një shkresë zyrtare të datës 24 shtator 2025, Bashkia Kamëz i ka kërkuar Agollit të azhurnojë hartën kadastrale, pasi sipas saj, pasuria e tij përputhet grafikisht me një pronë tashmë të certifikuar në emër të bashkisë. Por Agolli kundërshton këtë pretendim duke paraqitur një tjetër dokument zyrtar, pikërisht nga vetë Bashkia Kamëz, datë 22.05.2015, ku i është njohur dokumentacioni dhe numri i pasurisë.

“Ky është një shembull tipik i abuzimit institucional me të drejtën e pronës, një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta,” tha Vangjeli në përfundim të deklaratës.

Partia Demokratike i bën thirrje institucioneve shtetërore të reagojnë dhe të ndërhyjnë për të zbardhur situatën dhe për të mbrojtur të drejtën legjitime të qytetarëve ndaj pronës private.