Vendosni fjalën kyçe....

I vihet flaka një xhamie në Britani, policia shton masat e sigurisë


Një xhami në Mbretërinë e Bashkuar u dogj, me dy persona ende brenda, në një sulm të dyshuar zjarrvënieje që policia po e trajton si krim urrejtjeje.

Ky është incidenti më i fundit i dhunshëm i raportuar në një verë britanike të ngarkuar politikisht, gjatë së cilës incidentet e urrejtjes islamofobike dhe antisemite kanë mbetur të larta, dhe vjen vetëm disa ditë pas një sulmi vdekjeprurës jashtë një sinagoge në Mançester.

Dy persona me maska u përpoqën ta hapnin me forcë derën e xhamisë të shtunën mbrëma, para se të hidhnin benzinë mbi shkallët dhe t’i vinin flakën, i tha CNN-it një menaxher vullnetar i xhamisë, i cili kërkoi të mos identifikohej.

Ekipet e urgjencës nxituan drejt xhamisë në Peacehaven, pranë Brighton në bregun jugor të vendit, pak para orës 22:00 sipas orës lokale.

Kryetari i xhamisë dhe një besimtar tjetër, të dy rreth të 60-ave, po pinin çaj brenda kur dëgjuan një zhurmë të fortë jashtë dhe u larguan nga ndërtesa ndërsa flakët përshkonin hyrjen kryesore, sipas menaxherit të xhamisë.

Nuk dihet nëse zjarrvënësit e dyshuar e dinin që kishte njerëz brenda në atë kohë, shkruan CNN.

Pamjet nga kamera e derës së xhamisë tregojnë dy persona me maska që mbërrijnë në hyrje pak kohë më vonë, duke tërhequr dorezën e derës dhe duke e shtyrë derën disa herë, tha menaxheri.

Policia tha se zjarri dëmtoi pjesën e përparme të xhamisë dhe një automjet të parkuar jashtë.

Një prani e shtuar e policisë është vendosur në vendngjarje me patrullime shtesë “për të ofruar siguri në vendet e tjera të adhurimit në të gjithë qarkun,” tha oficerja Karrie Bohanna, nga Policia e Sussex.

Të enjten, dy besimtarë hebrenj u vranë në një sulm me makinë dhe thikë jashtë një sinagoge në qytetin anglez të Mançesterit në Yom Kippur, dita më e shenjtë në Judaizëm.

Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, e dënoi atë sulm dhe paralajmëroi se urrejtja “po rritet përsëri, dhe Britania duhet ta mposhtë atë përsëri.”