Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu: Hamasi gënjeu kur tha se do t’i lironte pengjet një apo dy vite më parë



Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi të shtunën se shpreson të njoftojë lirimin e pengjeve të mbetura nga Gaza gjatë festës hebraike të Sukkot. Në fjalimin e tij, ai hodhi poshtë pretendimet se Hamas kishte qenë i gatshëm të lironte pengjet një apo dy vite më parë, pa u tërhequr ushtria izraelite nga Gaza, përcjell JPost.

“Është një gënjeshtër e plotë. Ndryshimi në qëndrimin e Hamas erdhi vetëm si rezultat i presionit ushtarak dhe diplomatik që ne ushtruam,” tha Netanyahu.

Ai theksoi se lufta ka ndihmuar në parandalimin e kërcënimeve më të mëdha për Izraelin, përfshirë regjimin e Assad-it dhe rrezikun nga armët bërthamore iraniane. “Nga Gaza në Rafah, nga Bejruti në Damask, nga Jemeni në Teheran – së bashku kemi arritur fitore që po ndryshojnë fytyrën e Lindjes së Mesme,” u shpreh ai.

Netanyahu konfirmoi se faza e dytë e marrëveshjes parashikon çarmatimin e Hamas dhe demilitarizimin e plotë të Rripit të Gazës, qoftë përmes rrugëve diplomatike sipas planit të propozuar nga Presidenti Trump, qoftë ushtarakisht nga vetë Izraeli.

Para fjalimit, Netanyahu zhvilloi një takim me ministrin e Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe ministrin e Financave, Bezalel Smotrich. Ben-Gvir paralajmëroi se do të largohet nga qeveria nëse Hamas nuk shkatërrohet pas lirimit të pengjeve.

Ndërkohë, Smotrich e quajti një “gabim të rëndë” pezullimin e operacioneve ushtarake në Gaza dhe nisjen e negociatave pa presion ushtarak. Sipas tij, kjo strategji vetëm sa i jep kohë Hamasit dhe dobëson pozicionin izraelit.

Në Tel Aviv, familjarë të pengjeve vijojnë protestat, ndërsa një pankartë gjigante me mesazhin “Tani ose kurrë” drejtuar Presidentit Trump është vendosur në Sheshin e Pengjeve.