
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, njoftoi sot se strukturat për menaxhimin e emergjencave do të vendosen nën një komandë të unifikuar, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
“E nevojshme dhe e domodoshme që këto struktura të vendosen në një komandë të vetme kur vjen puna te emergjencat.
Kjo komandë të jetë në gjendje që të koordinojë si trup i vetëm të gjithë aksionet dhe të perfeksionojë bashkëpunimin ndërinstitucional, të maksimalizojë efikasitetin e përdorimit të fondeve dhe të rrisë në mënyrë efektivëe mbulimin në të gjithë terrritorin. “, tha ajo.
Ajo shtoi se do të krijohet edhe Qendra Kombëtare e Trajnimit të Zjarrfikësve, e cila do të standardizojë procesin e rekrutimit dhe formimit të punonjësve të këtij shërbimi.
“Do të standartizojmë procedurën e pranimit në këtë shërbim, duke nisur me procedurat e rekrutimit.
Do të aplikojmë modelet e suksesshme, duke vendosur edhe punonjësit në këtë shërbim në një selektim me kritere të qarta, me analizë të qartë të formimit periodik të vlerësimeve bazë të rekrutimit dhe aftësive të tyre fizike, psikologjike dhe profesionale.
Për trajtim të vazhdueshëm do të krijohet qendra kombëtare e trajnimit të zjarrfikësve. Të gjithë zjarrfikësit do të marrin trajnim të vazhdueshëm.
I gjithë procesi do të shoqërohet me skema motivuese për përfitime financiare dhe ngritje në karrierë. E fundit janë edhe fushatat e vazhdueshme të ndërgjegjësimit dhe edukimit që do të nisen që nga shkollat dhe do shtrihen në çdo strukturë vendore.”, tha Koçiu.