
Prokuroria e Fierit, pas disa muaj hetimesh mbi dosjen e Bankers Petroleum, ka kaluar çështjen për kompetencë te SPAK.
Sipas Report TV, gjatë kontrollit të celularëve të sekuestruar nga grupi hetimor janë evidentuar elementë të mundshëm të një grupi të strukturuar kriminal, çka është objekt i hetimeve të Prokurorisë së Posaçme. Për këtë arsye, dy ditë më parë, dosja u dorëzua te SPAK për çështje që lidhen me korrupsion dhe grup të strukturuar kriminal.
Aksioni i Prokurorisë së Fierit kundër Bankers u zhvillua më 2 korrik, ku u ekzekutuan 10 masa sigurie dhe u shpallën në kërkim katër shtetas të huaj.
Janë ngritur pesë akuza: krijimi i skemave mashtruese lidhur me TVSH-në, fshehje të të ardhurave, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe moskryerje të detyrave nga organet tatimore.
Bankers Petroleum akuzohet për krijimin e skemave të mashtrimit për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar për 20 vite rresht humbje totale prej 11.7 miliardë lekësh, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe eksportoi ose shiti naftë në vlerë prej 532 miliardë lekësh.