
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha dhe lidershipin aktual të PD-së se po përpiqen të bojkotojnë zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit, me qëllimin e vetëm për të ruajtur status quo-në në parti.
Në një deklaratë publike, Sula tha se vendimi i kryesisë së PD për të mos kandiduar figura nga radhët e saj në 6 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet, por për të mbështetur emra nga shoqëria civile, është një taktikë për të shmangur përgjegjësinë politike pas një humbjeje të pritshme.
“De fakto, ky vendim përkthehet: Partia Demokratike po i bojkoton zgjedhjet,” – u shpreh Sula.
Ai argumentoi se një kandidaturë jashtë strukturave të PD-së:
Nuk angazhon bazën dhe strukturat e partisë në fushatë.
Siguron një humbje të parashikuar, që do të përdoret më pas si justifikim për të mos ndryshuar lidershipin.
I jep statusin e partisë kryesore të opozitës forcës që propozon kandidatin.
Tregon që PD nuk gjen dot më figura të besueshme brenda vetes.
“Nëse unë gaboj me tri të parat, atëherë është edhe më keq: PD nuk ka më një emër të vetin që mund të dalë me dinjitet në garë,” shtoi ai.
Sula shprehu keqardhjen që PD, dikur një forcë politike me burime të shumta njerëzore, ka humbur kontaktin me anëtarët dhe realitetin.
“Dikur PD duhej të zgjidhte mes shumë emrave të denjë, sot del në thirrje publike për të gjetur kandidat për Bashkinë e Tiranës,” përfundoi ai.