
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi se opozita do të mbështesë kandidatët e pavarur në 6 bashkitë e vendit, në rast se ata kërkojnë ndihmë nga forcat opozitare. Berisha theksoi se kjo mbështetje do të jetë serioze dhe e përgjegjshme, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit për të sfiduar “organizatat kriminale në pushtet”.
“PD ka kandidatura kalibri, por do të vlerësojë dhe mbështesë seriozisht kandidatët e pavarur që garojnë në interes të qytetarëve,” tha Berisha gjatë një deklarate për mediat.
Ai gjithashtu bëri thirrje për bashkim të intelektualëve, specialistëve dhe ekspertëve që janë të gatshëm të përballen me qeverisjen e Edi Ramës, të cilin e quajti “narkoshtet”. Sipas tij, ky është momenti për të gjithë ata që duan të mbrojnë interesat e qytetarëve dhe të sfidojnë sistemin aktual.
“Ky është një moment i rëndësishëm për të gjithë ata qytetarë që dëshirojnë të marrin vendimin e duhur në interes të Shqipërisë,” shtoi Berisha.