
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj drejtueses së fushatës së Partisë Socialiste në Tiranë për zgjedhjet e pjesshme, Belinda Balluku. Gjatë një deklarate për mediat, Berisha e akuzoi atë për bashkëpunim me grupe kriminale në kuadër të garës elektorale, duke përdorur tone të ashpra dhe gjuhë të drejtpërdrejtë.
“Balluku, të cilës i referohem si ‘Lubia’, ka filluar takimet me bandat kriminale”, tha Berisha, duke përmendur konkretisht “Asllani i Vorës” si një nga emrat me të cilët ajo është takuar sipas tij. “Aty ligjin po e bëjnë bandat,” shtoi ai, duke përshkruar situatën si një alarm për demokracinë dhe zgjedhjet e lira.
Berisha deklaroi gjithashtu se ende nuk është përcaktuar kandidati i Partisë Demokratike për zgjedhjet e pjesshme në bashkitë kryesore, por u shpreh se brenda dy ditëve pritet të bëhet publike një zgjedhje përfundimtare.
“Unë nuk jam këtu për të diskutuar emra. Nuk më lejohet të flas për një emër konkret në këtë fazë. Nëse ftoj intelektualë, ekspertë, njerëz të aftë që të kandidojnë në Tiranë, Berat, Vlorë – nuk ka kuptim të dal e të them: mbështes filanin ose nuk mbështes filanin,” tha Berisha.
Ai shtoi se koha është shumë e ngushtë, por theksoi vendosmërinë e opozitës për të sjellë një kandidat serioz: “Sot dhe nesër do të pritet. Nuk ka asgjë të përcaktuar ende, por do ta kemi kandidatin. Ne do ta mbështesim, dhe besoj se edhe partitë e tjera opozitare do ta bëjnë të njëjtën gjë.”
Në fund të deklaratës, Berisha i bëri thirrje personaliteteve publike dhe intelektualëve të angazhohen në këtë betejë zgjedhore, duke i ftuar të kandidojnë dhe të përballen me atë që ai e quajti “narkoshteti” i Edi Ramës.