
Ish-kryeministri i Çekisë, Andrej Babiš, ka shënuar një rikthim të bujshëm në skenën politike, duke dalë fitues në zgjedhjet parlamentare, katër vite pas largimit nga pushteti. Megjithatë, pavarësisht rezultatit të qartë për partinë e tij ANO, ai nuk ka siguruar shumicën në parlament dhe përballet tani me negociata të vështira për të formuar një koalicion qeverisës, përcjell REL.
Pas numërimit të mbi 95% të votave, ANO doli forca më e madhe politike, por pa shumicën absolute, çka e detyron Babišin të kërkojë aleatë. Një nga opsionet më të përfolura është një marrëveshje me partinë SPD, e ekstremit të djathtë, e cila ka bërë thirrje për daljen e Çekisë nga Bashkimi Evropian dhe NATO.
Zgjedhjet janë ndjekur nga afër nga partnerët perëndimorë, për shkak të ndikimit të mundshëm në pozicionin e Çekisë ndaj Ukrainës dhe politikave të BE-së. Këshilltari për çështje të jashtme i presidentit çek, Jan Machacek, paralajmëroi se mbështetja e SPD-së do të krijonte “një situatë shumë të rrezikshme për politikën e jashtme të vendit”.
Machacek theksoi se SPD është një parti proruse, e ashpër ndaj Ukrainës dhe kundër BE-së. Kjo ka rritur shqetësimet për një devijim të mundshëm të Çekisë nga kursi proevropian dhe pro-NATO, ndonëse vetë Babiš ka mohuar se synon një largim nga këto organizata.
Analistët vlerësojnë se mundësitë për krijimin e një koalicioni stabil janë të kufizuara. Jiri Pehe, komentator politik, vlerëson se bashkëpunimi me SPD apo parti të vogla si “Motoristët” – që hyn për herë të parë në parlament – nuk e garanton stabilitetin.
Nga ana tjetër, partitë aktuale në pushtet e kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Babišin, i cili në të kaluarën është kritikuar për retorikën euroskeptike dhe qëndrimet e tij të afërta me liderë si Viktor Orban dhe Robert Fico.
Megjithatë, Pehe kujton se Babiš, si biznesmen me interesa në Perëndim, ka treguar pragmatizëm gjatë mandatit të tij të parë dhe nuk pritet të ndjekë deri në fund shembullin e aleatëve të tij rajonalë.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Çekia ka ndaluar importin e naftës ruse dhe ka reduktuar ndjeshëm varësinë nga gazi, në dallim nga Hungaria dhe Sllovakia, që vazhdojnë të jenë të varura nga furnizimet energjetike ruse.