
Presidenti Donald Trump paralajmëroi se luftëtarët e Hamasit janë të rrethuar dhe përballen me shkatërrim total nëse pengjet nuk lirohen deri të dielën, duke premtuar ose një marrëveshje historike paqeje të mbështetur nga Izraeli, SHBA dhe shtetet arabe, ose një sulm ushtarak pa precedent.
Trump e përshkroi Hamasin si një kërcënim të egër dhe të dhunshëm për shumë vite, që kulmoi me masakrën e 7 tetorit në Izrael, ku u vranë civilë, përfshirë fëmijë, gra dhe të moshuar, përcjell Ynet.
Ai deklaroi se më shumë se 25,000 luftëtarë të Hamasit janë vrarë në përgjigje të këtij sulmi dhe se pjesa më e madhe e mbetur është rrethuar dhe e bllokuar ushtarakisht.
Presidenti tha se është i gatshëm të japë urdhrin për eliminimin e tyre dhe paralajmëroi se ata që mbeten do të ndiqen dhe do të vriten.
Ai ftoi palestinezët e pafajshëm të largohen nga zonat e rrezikut të menjëhershëm drejt pjesëve më të sigurta të Gazës dhe siguroi se do të kujdesen për ta ata që janë të gatshëm të ndihmojnë.
Trump theksoi se vendet kryesore të Lindjes së Mesme, shtetet fqinjë dhe Shtetet e Bashkuara, me nënshkrimin e Izraelit, kanë rënë dakord për një marrëveshje paqeje që ruan jetën e luftëtarëve të mbetur të Hamasit, dhe detajet e saj janë të njohura për botën.
Presidenti kërkoi që Hamas të lirojë të gjitha pengjet, përfshirë trupat e atyre që janë vrarë, duke vendosur një afat deri të dielën në orën 18:00 sipas kohës së Uashingtonit.
Ai paralajmëroi se nëse afati nuk respektohet, do të ketë një përgjigje të jashtëzakonshme ndaj Hamasit dhe premtoi se paqja në Lindjen e Mesme do të arrihet një mënyrë apo tjetër.