Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Nuk do të ketë më hyrje në pallate pa certifikatë përdorimi dhe hipotekë



Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk do të lejohet më hyrja e banorëve në pallatet e reja nëse ato nuk janë pajisur me certifikatën e përdorimit dhe dokumentacionin e pronësisë (hipotekën). Në një konferencë për shtyp nga Kryeministria, Rama njoftoi masa të reja për të ndaluar ndërhyrjet e paligjshme në territor dhe për të forcuar kontrollin institucional mbi ndërtimet e reja.

“Nuk do të lejohet më që në godinat pa certifikatë përdorimi të lidhen uji dhe dritat, apo të futen njerëzit nëpër apartamente pa përfunduar siç duhet objekti dhe pa u pajisur me hipotekë,” – theksoi ai.

Sipas Kryeministrit, do të ketë katër faza të detyrueshme kontrolli nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, dhe certifikata e përdorimit do të jepet vetëm pas inspektimit të plotë nga institucionet përkatëse.

Një tjetër masë e rëndësishme është ndalimi i lidhjes së ujit dhe energjisë elektrike për pallatet që nuk kanë kaluar procesin e legalizimit teknik.

“Arsyeja pse qytetarët mbeten pa hipotekë është sepse ndërtuesit shpesh nuk respektojnë parametrat e lejes së ndërtimit dhe mbikëqyrja nga bashkitë është e dobët. Kështu, viktimë mbetet qytetari, që ka paguar për të pasur një shtëpi,” – u shpreh Rama.

Këto masa synojnë të mbrojnë qytetarët dhe të vendosin një standard më të lartë sigurie dhe transparence në sektorin e ndërtimit.