
Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara se furnizimi i Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi, si Tomahawk, do të shkaktojë një përshkallëzim serioz të marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit – por sipas tij, nuk do ta ndryshojë situatën në fushëbetejë, përcjell AP.
Gjatë një forumi të ekspertëve ndërkombëtarë të politikës së jashtme në qytetin bregdetar Soçi, Putin deklaroi se çdo furnizim me raketa të avancuara amerikane për Kievin do të shënonte një “fazë cilësisht të re të përshkallëzimit”, si në luftë, ashtu edhe në raportet ndërkombëtare.
“Kjo nuk do të mbetet pa pasoja për marrëdhëniet Rusi-SHBA,” tha ai. “Por nuk do të ndryshojë balancën ushtarake në terren. Ushtria jonë po avancon në mënyrë të ngadaltë, por të qëndrueshme.”
I pyetur për komentet e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka cilësuar Rusinë si një “tigër prej letre” për dështimin për të mposhtur një vend më të vogël si Ukraina, Putin reagoi ashpër:
“Ne nuk po luftojmë vetëm me Ukrainën, por me të gjithë bllokun e NATO-s që po e mbështet me armatime, logjistikë dhe inteligjencë. Dhe përkundër kësaj, po ecim përpara dhe ndjehemi të sigurt,” tha ai.
“Nëse NATO është ‘tigër prej letre’, atëherë le të përballen me këtë tigër,” shtoi presidenti rus me tone ironike.
Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, që foli në kushte anonimiteti, tha se pavarësisht pretendimeve të Putinit, Rusia ka pësuar humbje të mëdha ekonomike dhe diplomatike që nga fillimi i agresionit në Ukrainë në vitin 2022.
“Putin ka refuzuar vazhdimisht oferta për paqe që do t’i kishin sjellë përfitime vendit të tij. Sot, ekonomia ruse është e dobësuar dhe reputacioni i saj ndërkombëtar është dëmtuar rëndë,” tha zyrtari amerikan.
Kërcënimi për furnizimin e Ukrainës me raketa Tomahawk vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s po shqyrtojnë shtimin e ndihmës ushtarake për Kievin, përballë avancimeve të ngadalta, por të qëndrueshme të forcave ruse në lindje dhe jug të Ukrainës.
Ndërkohë, Moska ka paralajmëruar se do t’i konsiderojë këto veprime si pjesë të drejtpërdrejtë të përfshirjes së Perëndimit në luftë, duke shtuar tensionet në një konflikt që po hyn në vitin e katërt.