
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë pjesëmarrjes në Samitin e Liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, theksoi rëndësinë e lidhjes së sigurisë së Evropës me atë të Ballkanit Perëndimor.
Në një postim në Facebook, Osmani nënvizoi se Evropa duhet të përqendrojë vëmendjen dhe investimet në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë, duke e cilësuar këtë si një hap kyç për arritjen e një sigurie të qëndrueshme dhe afatgjatë në rajon.
“Në tryezën me liderë evropianë në Samitin e EPC-së, theksova se siguria e Evropës është ngushtë e lidhur me sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Për këtë arsye, Evropa duhet të investojë në parandalimin e taktikave destabilizuese të Serbisë,” shkroi Osmani.
Presidentja gjithashtu theksoi se kërcënimet kryesore për sigurinë e kontinentit vijnë nga Rusia dhe Serbia. Një ditë para nisjes së samitit në Danimarkë, Osmani deklaroi se Serbia historikisht ka trajtuar fqinjët e saj si shtete joekzistente, duke vepruar ndaj tyre me agresion.
Ky apeli vjen në një kohë kur siguria në Ballkanin Perëndimor mbetet një çështje kritike për stabilitetin dhe paqen në Evropë.