Vendosni fjalën kyçe....

Hamasi pranon të lirojë të gjitha pengjet izraelite sipas planit të paqes së Trump


Hamasi njoftoi të premten se ka rënë dakord të lirojë të gjithë pengjet izraelitë, të vdekur apo të gjallë, si pjesë e propozimit të presidentit Donald Trump për Gazën, raportoi Reuters.

Krerët e grupit militant treguan gjithashtu se ishin të gatshëm të hynin në negociata me ndërmjetësim për të finalizuar marrëveshjen, sipas raportit.

Njoftimi erdhi vetëm disa orë pasi Trump lëshoi një paralajmërim publik për grupin terrorist, duke theksuar se udhëheqësit e tij do “vriteshin” nëse pengjet izraelitë të mbetur nuk do liroheshin deri të dielën në mbrëmje.

Përveç kësaj, Hamasi ka pranuar edhe dorëzimin e administrimit të enklavës, por tha se do kërkonte negociata për shumë nga kushtet e tij të tjera.

Në një kopje të deklaratës të parë nga Reuters, Hamasi dha përgjigjen e tij ndaj planit 21-pikësh të Trump-it pasi presidenti i SHBA-së i dha grupit militant palestinez deri të dielën për të pranuar ose hedhur poshtë propozimin. Trump nuk ka thënë nëse kushtet do t’i nënshtroheshin negociatave, siç kërkon Hamasi.

Në mënyrë të veçantë, Hamasi nuk tha nëse do pranonte një kusht që të çarmatoset, një kërkesë nga Izraeli dhe SHBA-ja që e ka kundërshtuar më parë.

Në deklaratën e tij, Hamasi tha se “vlerëson përpjekjet arabe, islame dhe ndërkombëtare, si dhe përpjekjet e presidentit të SHBA-së Donald Trump, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës, shkëmbimin e të burgosurve, dhe hyrjen e menjëhershme të ndihmës,” mes kushteve të tjera.

Ai tha se njoftonte “miratimin e lirimit të të gjithë të burgosurve izraelitë, të gjallë apo të vdekur sipas formulës së shkëmbimit të përfshirë në propozimin e presidentit Trump.

Por Hamasi shtoi: “Në këtë kontekst, lëvizja pohon gatishmërinë e saj për të hyrë menjëherë, përmes ndërmjetësve, në negociata për të diskutuar hollësitë.”

Grupi tha se ishte gati “t’ia dorëzonte administrimin e Rripit të Gazës një organi palestinez të të pavarurve (teknokratëve) bazuar në konsensusin kombëtar palestinez dhe të mbështetur nga vendet arabe dhe islame.”

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment mbi përgjigjen e Hamasit ndaj propozimit, i cili mbështetet nga Izraeli, si dhe nga fuqitë arabe dhe evropiane.

Plani i Trump-it specifikon një armëpushim të menjëhershëm, një shkëmbim të të gjithë pengjeve të mbajtur nga Hamasi me të burgosur palestinezë të mbajtur nga Izraeli, një tërheqje të shkallëzuar izraelite nga Gaza, çarmatosjen e Hamasit dhe ngritjen e një qeverie kalimtare të udhëhequr nga një organ ndërkombëtar.