
Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, nënvizoi sot se inteligjenca artificiale do të udhëheqë një revolucion në shëndetësi, duke paraqitur vizionin e qeverisë shqiptare për digjitalizimin e plotë të sektorit, si hap paraprak për përdorimin e IA-së në diagnostikimin e avancuar.
Gjatë pjesëmarrjes në samitin dy-ditor “Inteligjenca artificiale në shëndetësi”, të organizuar nga “The Economist” në Londër, ministrja Sala theksoi se shëndetësia globale po hyn në një fazë të re, ku teknologjitë e avancuara do të lejojnë kalimin nga diagnostika tradicionale në një nivel të ri, të quajtur “super-diagnostikë”.
“Spitali i së ardhmes do të ketë një infrastrukturë teknologjike të padukshme, një qendër të unifikuar të të dhënave të pacientit, zero barrë administrative për profesionistët dhe një kulturë bashkëpunimi njeri – inteligjencë artificiale, ku kujdesi ndaj pacientit do të mbetet në qendër,” deklaroi ministrja.
Në panelin dedikuar integrimit të IA-së në praktikën klinike, Sala ndau shembuj konkretë të përdorimit të inteligjencës artificiale për të ulur lodhjen e klinicistëve dhe ngarkesën administrative në radiologji, duke përfshirë: Automatizimin e detyrave të përsëritura, Optimizimin e planifikimeve, Gjenerimin automatik të raporteve dhe Përpunimin e gjuhës natyrore për dokumentacionin mjekësor.
Samiti mblodhi 300 pjesëmarrës dhe 60 folës nga e gjithë bota, ku u prezantuan njohuri ekskluzive dhe studime rastesh nga politikëbërës, përfaqësues të teknologjisë mjekësore, akademikë dhe organizata që punojnë për të arritur potencialin maksimal të inteligjencës artificiale në shëndetësi.