Në përgjithësi, gratë jetojnë më gjatë se burrat. Kjo është e vërtetë për njerëzit në pothuajse të gjitha vendet dhe periudhat historike dhe hendeku mashkull-femër vërehet edhe tek specie të tjera. Por pse? Një studim i ri mund të hedhë dritë mbi këtë mister të hershëm, duke sugjeruar se ai është thellësisht i rrënjosur në historinë evolucionare.
Një ekip ndërkombëtar, i udhëhequr nga shkencëtarë në Institutin Max Planck për Antropologjinë Evolucionare, shqyrtoi 1,176 specie – analiza më gjithëpërfshirëse e dallimeve gjinore në jetëgjatësi në mesin e gjitarëve dhe shpendëve deri më sot. Ata zbuluan se gjitarët femra jetojnë mesatarisht 12 për qind më gjatë se meshkujt, por e njëjta gjë nuk vlen për shpendët: në speciet e shpendëve, meshkujt jetojnë rreth 5 për qind më gjatë se femrat.
Një hipotezë e zakonshme për të shpjeguar këtë ndryshim është hipoteza e seksit heterogamet, e cila i referohet kromozomeve seksuale. Tek gjitarët, femrat zakonisht kanë dy kromozome X, ndërsa meshkujt kanë një X dhe një Y (heterogamet). Ka disa të dhëna që sugjerojnë se të pasurit dy kromozome X mund t’i mbrojë femrat nga mutacionet e dëmshme, duke ofruar një avantazh mbijetese. Tek shpendët, megjithatë, janë femrat seksi heterogamet.
Ekipi pas studimit të ri zbuloi se 72 për qind e gjitarëve shfaqnin një avantazh të jetëgjatësisë te femrat, ndërsa 68 për qind e shpendëve shfaqnin një avantazh te meshkujt – në përputhje me hipotezën e seksit heterogamet. Sidoqoftë, dallimet gjinore varionin gjerësisht.
“Disa specie treguan të kundërtën e modelit të pritur,” tha autorja kryesore Johanna Stärk në një deklaratë.
“Për shembull, në shumë shpendë grabitqarë, femrat janë si më të mëdha ashtu edhe më jetëgjata se meshkujt. Pra, kromozomet seksuale mund të jenë vetëm një pjesë e historisë.”
Kështu që studiuesit gërmuan edhe më thellë dhe shqyrtuan strategjitë riprodhuese. Përmes përzgjedhjes seksuale, meshkujt shpesh zhvillojnë karakteristika që rrisin suksesin e tyre në çiftëzim, por mund të jenë të dëmshme për jetëgjatësinë e tyre – gjëra si ngjyrat vezulluese, madhësia e madhe e trupit dhe armë të caktuara. Ekipi vuri re se tek gjitarët poligamë me konkurrencë të fortë, meshkujt në përgjithësi vdesin më herët se femrat, ndërsa shpendët janë shpesh monogamë, përballen me më pak konkurrencë dhe meshkujt mund të shihen se jetojnë më gjatë, shkruann IFL.
Në përgjithësi, poligamia dhe dallimet e theksuara në madhësi shoqëroheshin me një avantazh më të madh për femrat.
Studimi gjeti gjithashtu prova se seksi që është më i përfshirë në rritjen e pasardhësve – tek gjitarët, kjo zakonisht janë femrat – tenton të jetojë më gjatë. Tek speciet me jetëgjatësi të madhe, si primatët, kjo ka të ngjarë të jetë një avantazh evolucionar: femrat mbijetojnë derisa pasardhësit e tyre të jenë të pavarur ose seksualisht të pjekur për të siguruar vazhdimin e specieve.
Speciet e studiuara jetonin të gjitha në kopshte zoologjike, të cilat ofrojnë mbrojtje nga elementët mjedisorë si klima e ashpër, uria dhe grabitja. Është menduar prej kohësh se elementët e tillë nxisin ndryshimin e vërejtur midis jetëgjatësisë mashkullore dhe femërore. Megjithëse hendeku u reduktua tek kafshët e kopshteve zoologjike, avantazhi i femrave i gjetur në popullatat e egra ende mbeti. Kjo pasqyron atë që shohim te njerëzit, ku përparimet në mjekësi dhe kushtet e jetesës e kanë ngushtuar, por nuk kanë arritur ta eliminojnë hendekun e jetëgjatësisë.
“Gjetjet tona mund të ndihmojnë për të shpjeguar pse dallimet në JMA [jetëgjatësia mesatare e të rriturve] midis burrave dhe grave janë kaq konsistente në kohë dhe kultura,” përfundojnë studiuesit.
“Në mënyrë të veçantë, JMA e anuar nga femrat duket të jetë e zakonshme për shimpanzetë dhe gorillat, duke sugjeruar që jetëgjatësia më e madhe për femrat është një karakteristikë e ngulitur prej kohësh në historinë tonë evolucionare.”
