Vendosni fjalën kyçe....

Dy të vrarë në një sulm në sinagogën e Mançesterit, autori dyshohet se është vrarë nga policia


Dy persona kanë humbur jetën në një sulm të dhunshëm me makinë dhe thikë në sinagogën Heaton Park në Mançester, në ditën e Yom Kippur-it, festa më e shenjtë në kalendarin hebraik.

Policia britanike tha se edhe autori i dyshuar i sulmit besohet të jetë vrarë nga forcat e rendit, pasi u qëllua me armë.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ende gjendjen e tij, pasi ai kishte “objekte të dyshimta mbi trupin e tij”, çka bëri që në vendngjarje të nisej një njësi çminimi.

Sipas të dhënave fillestare, tre persona të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë në spital, ndërkohë që në sinagogë kishte një numër të madh besimtarësh për shkak të festës fetare.

Një dëshmitar tha për BBC-në se policia e kishte paralajmëruar dy herë sulmuesin para se të qëllonte: “I dhanë disa paralajmërime – ai nuk dëgjoi, ndaj ata hapën zjarr”.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë policë që paralajmërojnë qytetarët: “Kthehuni pas, ai ka një bombë!”

Policia u njoftua për incidentin në orën 09:31 me orën lokale, kur një person raportoi se një makinë ishte drejtuar me shpejtësi drejt turmës dhe se një burrë ishte goditur me thikë.

Kryeministri britanik Keir Starmer ndërpreu vizitën e tij në Danimarkë dhe u kthye urgjentisht në Londër. Ai njoftoi se në të gjithë vendin do të vendosen trupa shtesë policie pranë sinagogave.