Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Edhe koha po e provon se mbështetja për gratë dhe vajzat është investimi më i duhur


Kryeministri Edi Rama tha sot se marrëveshja mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Universitetit Politeknik të Tiranës synon të rrisë numrin e vajzave që përfshihen në programet e praktikave.

Ai shtoi me humor se “djemtë duhet të pranojnë se vajzat dhe gratë janë përpara tyre” dhe se mbështetja për to është “investimi më i duhur dhe i frytshëm”.

Rama theksoi se burrat duhet të motivohen më shumë për të qenë në lartësinë e sfidës krahas grave dhe vajzave.

“Për studentet që do përfshihen në këtë program, që synon rritjen e numrit të vajzave në një fushë, kur në fakt ne nuk është se kemi një problem të pabarazisë gjinore, por programi është i tillë dhe nuk kemi arsye që ta refuzojmë për sa kohë hyn në një kuadër më të gjerë ndërveprimi me një institucion të rëndësishëm ndërkombëtrar, përsëris thirrjen që djemtë të mos dekurajohen nga mbështetja për vajzat.

Tanimë edhe koha po e provon se mbështetja për gratë dhe vajzat është investimi më i duhur dhe i frytshëm dhe shpresoj që të jetë investim që qoftë edhe për inat t’i motivojë më shumë burrat se përgjithësisht janë më të rehatuar nga pikëpamja e procesit të të menduarit sesa gratë dhe vajzat.

Na duhen sa më shumë njerëz të motivuar dhe të parehatuar me veten por në kërkim të vazhdueshëm të sprovave dhe në sfidë me veten.

Si përfaqësuesi i gjinisë më të dobët, duhet që edhe bashkëvuajtësit burrat dhe djemtë ta pranojnë se gratë janë më përpara se ne. Duhet të dorëzohemi me dinjitet përpara këtij fakti dhe të përpiqemi të rikuperojmë sa të mundemi të bindur se s’do t’i kalojmë asnjëherë por të arrijmë të jemi në lartësinë e të qenit bashkëudhëtarë të tyre.”, përfundoi kryeministri.