Vendosni fjalën kyçe....

Prizren/ Aktakuzë për fajde ndaj gjashtë personave, përfituan 1.4 milion euro dhe 21 prona


Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave, të cilët dyshohen se kanë përfituar rreth 1.4 milion euro përmes fajdeve dhe kanë marrë në pronësi 21 banesa dhe lokale afariste nga të dëmtuarit, të cilët nuk kanë mundur të shlyejnë borxhet.

Të akuzuarit janë identifikuar me inicialet L.M., B.K., L.A., Xh.K., D.G. dhe K.K.. Përveç fajdes, disa prej tyre përballen edhe me akuza shtesë, si armëmbajtje pa leje dhe detyrim me forcë.

Sipas aktakuzës, rastet e fajdeve përfshijnë shuma të mëdha parash të dhëna me kamata mujore që varionin nga 8% deri në 30%, duke çuar në humbje të konsiderueshme për viktimat.

Në disa raste, borxhi ishte shumëfishuar brenda pak muajsh, duke detyruar të dëmtuarit të dorëzonin banesa, lokale afariste, automjete, kafshë dhe prona të tjera me vlerë qindra mijëra euro.

Një prej rasteve përfshin detyrimin e viktimave të nënshkruanin parakontrata për shitjen e 11 banesave në Shirokë, ndërsa në raste të tjera të dëmtuarit janë kërcënuar dhe detyruar të japin prona nën presion.

Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e pasurive të përfituara, që përfshijnë 2.226 metra katrorë prona banesore dhe afariste, para në euro dhe franga, armë, telefona, automjete dhe dokumente të ndryshme.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, fajdeja dënohet me gjobë dhe burgim nga 6 muaj deri në 5 vjet, ndërsa në rastet kur dëmi i shkaktuar tejkalon shumën prej 10 mijë eurosh, dënimi mund të shkojë deri në 8 vjet burg.