Kandidati i PD-së për deputet në Tiranë në zgjedhjet e 11 majit, Ilir Alimehmeti, u shpreh mbrëmjen e sotme se opozita nuk i trembet garës në kryeqytet dhe ka të gjitha mundësitë për të fituar.
I ftuar në emisionin “Oponencë” në News24, Alimehmeti theksoi se Tirana ka treguar një dobësi të Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit. “Edhe nëse i shihni zgjedhjet e 11 majit, rezultati i PS-së më i dobëti ishte në Tiranë. Kujtoj se këtu ishte drejtues fushate vetë Edi Rama. Qarku i Tiranës ka rezultatin më të dobët të PS-së. Këtu fillon ndryshimi,” tha ai.
Alimehmeti akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama për përpjekje për të përçarë opozitën. “Në këtë situatë, nuk i trembemi. Edhe pse kemi qenë të sulmuar, ky është realiteti jonë. Fajtorët janë disa. Këta duan të vjedhin me ligje, me VKM-ra. Faji është ai që të merr lekët nga xhepët,” shtoi ai.
Kandidati i PD-së komentoi edhe çështjen e deputetit Ervin Salianji, të cilin e konsideron një rast të shkeljes së të drejtës për fjalën e lirë. “Rama nuk mund ta fusë në burg për të drejtën e fjalës. Tani s’ka as ligj, është dënim pa ligj, dënimi i zotit Salianji. Ky është realitet. Nuk mund të themi që kjo pranohet në një shtet që e quan veten demokraci,” u shpreh Alimehmeti.
Ai nënvizoi se opozita duhet të përqendrohet te Tirana, duke e konsideruar atë si qarku më të rëndësishëm për të nisur ndryshimin politik: “Ndryshimi fillon nga kryeqyteti, mos prisni të fillojë nga rrethina. Ka hapësira sa të duash për të punuar. Metoda e Ramës ishte duke përçuar opozitën, duke i hequr vulën. Kjo plagë u shkaktua nga Edi Rama, nga njerëz që punonin për të, ndoshta edhe të infiltruar tek ne.”